Lajme
Bordi i RTK-së pa vizion dhe pa plan zhvillimor, po merret me ata që janë dhe s’janë avancuar
Demokracia
21:26 | 16 Janar 2022

Share:

Bordit të “shpresës” së RTK-së, siç e quajtën deputetët e partive në pushtet, si duket u ka humbur menjëherë rruga në oborr.

Që më shumë se një muaj, përbërja e re e bordit nuk ka arritur ta miratojë as buxhetin edhe ashtu të sakatuar nga Qeveria e Kosovës, e cila e shkurtoi për 2.2 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar, shkruan Demokracia.com.

Sipas burimeve brenda këtij bordi, qysh në fillim të punës së tyre kanë filluar mospajtimet mes vetë anëtarëve të tij. Problemi kryesor që ka çuar te këto ndarje në këtë organ mbikëqyrës të RTK-së, siç mëson Demokracia.com, janë kontratat për shërbime të një pjese të stafit të RTK-së.

Një pjesë e anëtarëve të bordit mësohet se nuk po dëshirojnë të marrin përgjegjësi që ta largojnë një pjesë të stafit të RTK-së, në këtë krizë të lartë sociale në Kosovë. Duke mos pasur guximin ta marrin vendimin që të largojnë njerëz nga puna, ata tash tërë presionin ia kanë shtruar menaxhmentit aktual të RTK-së.

Shumë sektorë në RTK janë ankuar se nëse iu largohet nga puna një pjesë e stafit do të ketë probleme serioze në funksionimin e shumë sektorëve në RTK. Me shkurtimin e buxhetit, RTK është detyruar të ndërpresë një pjesë të konsiderueshme të programit më të shikuar. Serialet vendore që kishin shikueshmëri të lartë dhe nga të cilat RTK-ja gjeneronte një pjesë të konsiderueshme të të hyrave, deri afër gjysmë milioni euro në vit, janë ndalur së transmetuari në këtë vit. Ndeshjet e kombëtares së Kosovës dhe ato të Shqipërisë nuk do të transmetohen këtë vit në RTK. E për investime në teknologji dhe program as që bëhet fjalë. Produkte të jashtme nuk do të ketë më, siç parashihet me ligjin e RTK-së, si dhe pagat e punëtorëve nuk janë të sigurta për secilin muaj.

Sindikata e udhëhequr nga Gëzim Bimbashi ka reaguar kundër largimit të punëtorëve me kontrata për shërbime, duke paralajmëruar se do të ndërmarrin veprime nëse ndodh një gjë e tillë. Por, bordi i “shpresës” i zgjedhur nga partia në pushtet, sipas burimit të Demokracia.com brenda këtij bordi, i cili është i pakënaqur me punën që po e bëjnë, prej që i kanë marrë pozitat janë bërë vetëm “auditorë” të RTK-së.

Derisa punëtorët me kontrata për shërbime në RTK janë nën ethet e frikës së largimit të tyre nga angazhimi që e kanë dhe të mbesin pa punë, bordi shumë kohë e energji koti po e harxhon duke u marrë se kush është avancuar prej 2017 e tutje, hyrje-daljet e punëtorëve, kush çka ka deklaruar prej stafit në rrjetet sociale, duke u përzier në çështje mikro-menaxheriale, që nuk janë fare kompetencë e tyre.

Detyrat dhe përgjegjësitë e Bordit të RTK-së janë të përshkruara qartë në ligjin e RTK-së.

“Sipas ligjit, Bordi merret me politikat zhvillimore të RTK-së dhe nuk është auditor i RTK-së, pasi që televizioni publik e ka auditorin e brendshëm, auditorin e jashtëm dhe tash edhe auditorin e përgjithshëm”, thotë një zyrtar tjetër i administratës së RTK-së për Demokracia.com, i cili kërkoi që mos t’i përmendej emri për shkak se mund të penalizohet.

Ende deri më sot Bordi i RTK-së mësohet se nuk është interesuar për projektet zhvillimore, si digjitalizimi i tërësishëm i produksionit, digjitalizimi me teknologjitë moderne të shpërndarjes së përmbajtjes programore, gjetjen e mundësive për financim të qëndrueshëm të RTK-së, zgjidhjen e përhershme të pronës së RTK-së, etj.

Bordi i RTK-së, sipas zyrtarit të administratës së RTK-së, ende nuk janë në dijeni se Komuna e Prishtinës me kërkesën e Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal ia ka lëshuar lejen për ndërtimin e objektit të ri RTK-së, në hapësirë prej 8 hektarëve, në afërsi të Pallatit të Drejtësisë.

RTK-ja, sipas tij, e ka hartuar edhe projektin ideor të objektit, i cili është bërë publik në fillim të vitit 2019 dhe ka marrë lëvdata edhe nga EBU-ja.

Bordi i ri i RTK-së mësohet se ende nuk e ka bërë asnjë vizitë në ambientet ku RTK-ja e ushtron veprimtarinë e vet. Sikur bordet e tjera në të kaluarën, edhe ky bord po vazhdon me metodën e njëjtë, duke luajtur rolin e auditorit dhe hetuesit të RTK-së dhe si duket kështu do u shkojë edhe mandati. /Demokracia.com/

Të ngjashme