Lajme
Bordi i MCC-së aprovoi 236,7 milionë për Kosovën, ja ku do të investohen
Demokracia
16:19 | 01 Korrik 2022

Share:

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se Korporata e Mijëvjeçarit (MCC) ka aprovuar marrëveshjen e kompaktit për Kosovën në vlerë prej 236,7 milionë dollarësh.

Kurti ka thënë se ky do të jetë investimi më i madh energjetik që ka ndodhur në Kosovë deri sot.

“Do të ndihmojë në vendosjen e themeleve për tranzicionin tonë të energjisë. Falënderime të veçanta për dy ekipet tona për punën e shkëlqyer. Miqtë, partnerët, aleatët”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Edhe ministrja Artane Rizvanolli ka reaguar, duke e konsideruar si lajm të mrekullueshëm.

“Lajm i mrekullueshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Bordi i drejtorëve të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) kanë aprovuar Programin Kompakt të Kosovës me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh – investimi më i madh në sektorin e energjisë të Kosovës, si dhe një gurthemel që mundëson tranzicionin tonë energjetik. Jam falënderuese ndaj ekipeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Kosovës, krenare me ekipin e Kosovës, si dhe e nderuar që kam udhëhequr këto negociata!”, ka shkruar ajo.

Programi do të përfshijë tri projekte:

  1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet  170 MW, që ofrojnë rezervë 340 MWh),
  2. Zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe
  3. Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim

Projekti i parë konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, që shërbejnë si rezerva të energjisë. Kapaciteti i sistemit akumulues të energjisë pritet të jetë më i madhi në Evropë për kokë-banori, dhe shënon njërin prej projekteve më inovative në rajon dhe më gjerë. Rezerva do të përdoret për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymës elektrike si pasojë e disbalancit të furnizimit dhe konsumit. Bateritë po ashtu mund të përdoren për arbitrazh të energjisë, që do të thotë, për ruajtjen e energjisë në orët e hershme të mëngjesit kur shpenzimi është i ulët, me qëllim të përdorimit të saj kur është nevoja gjatë orëve me konsum të lartë. Tutje, bateritë do të mund të lidhen shumë lehtë me burime solare, të erës, dhe burime të ngjashme, gjë që do ta përshpejtoj kalimin e Kosovës në burime të ripërtërishme dhe të qëndrueshme të energjisë.

Projekti i dytë përfshinë dy aktivitete: 1. Zhvillimin e Fuqisë Punëtore Energjetike për të Ardhmen, që synon të krijoj një program të studimit që do të zhvilloj aftësitë e individëve që do të punojnë në sektor të energjisë, kështu duke e mbështetur edhe investimin me MCC-në; dhe 2. Fuqi Punëtore Gjithëpërfshirëse në Sektor të Energjisë, që do të synojë përfshirjen më të madhe të grave në sektor përmes disa nën-aktiviteteve siç janë mbështetja e punëdhënësve në sektor për ambient më të përshtatshëm për gra, rritja dhe fuqizimi i rrjetit të grave në energji dhe dhënia e çmimit për vendet më të mira të punës për gra.

Projekti i tretë është financim nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim, apo ACFD, i cili ka për qëllim të nxisë financimin e sektorit privat nga Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) të Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Specifkisht, projekti synon të rrisë përfshirjen e sektorit privat gjatë implementimit të programit Kompakt në fushat që mbështesin ose plotësojnë objektivat e projektit të rezervave të energjisë dhe atë të zhvillimit të fuqisë punëtore. Projektet e mundshme të mbështetura përmes këtij mekanizmi përfshijnë gjenerimin e energjisë së ripërtërishme dhe hapjes së mundësive për financim për agjendë të gjelbër.

Investimet e programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës, dhe shënojnë njërin nga bashkëpunimet më të rëndësishme në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Të ngjashme