Lajme
Bordi i KEK-ut shkel “me dy këmbë” vendimin e vet, amniston Nagip Krasniqin
Demokracia
13:35 | 25 Prill 2023

Share:

Bordi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) vazhdon ta shkelë një vendim të nxjerrë vitin e kaluar, me qëllim luftimin e rasteve të shpërdorimit të detyrës nga zyrtarët e korporatës.

Në një vendim të publikuar më 15 qershor 2022, Bordi i KEK-ut kishte vendosur një rregull të ri: suspendimin e të gjithë punonjësve që hetohet penalisht për vepra të cilat ndërlidhen me korrupsionin.

Paparaci ka siguruar vendimin e Bordit të KEK-ut, i cili i ishte kumtuar menaxhmentit.

“Obligohet menaxhmenti i KEK-Sh.a që të zbatojë dispozitën e nenit 73 të ligjit nr 03/L-212 të punës, ashtuqë duhet të largohen përkohësisht nga puna të gjithë të punësuarit e KEK-sha ndaj të cilëve ka filluar procedura penale për shkak të dyshimit të bazuar të kryerjes së ndonjërës prej veprave penale të parapara në Kapitullin: Korrupsioni Zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare”, thuhej ne vendim.

Sipas Bordit të KEK-ut, moslajmërimi i punonjëseve rreth hetimeve penale ndaj tyre përmban “shkelje të rëndë në detyrat e punës”.

Por, vendimi i KEK-ut nuk vlen për kreun e menaxhmentit, Nagip Krasniqin, të arrestuar javën e kaluar nën dyshimet për korrupsion.

I dyshuar për tri vepra penale të cilat ndërlidhen me korrupsion dhe në paraburgim, Nagip Krasniqi vazhdon të qëndrojë zyrtarisht kryeshef i KEK-ut. Bordi, i udhëhequr nga Skënder Haziri, e ka amnistuar atë.

Arrestimi i Nagip Krasniqit është bërë pas bastisjeve në zyrën e tij, në KEK dhe në dy banesat e tij në lokacione të ndryshme.

Krasniqi është i dyshuar për nënshkrimin e një kontrate me procedurë të negociuar me kompaninë “Litwin SA” në partneritet me Bujari B. Shala B.I. për riparim kapital emergjent të kaldasë së bllokut A5 të termocentralit “Kosova A”, në vlerë mbi 3.4 milionë euro.

Të ngjashme