Lajme
Bordi i emëruar nga Qeveria Kurti e bën U.D. kryeshef të “Hidromoravës” të dënuarin me gjobë për ngacmim seksual
Demokracia
15:55 | 30 Qershor 2022

Share:

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka të ndalur në emërimin e personave të afërt të saj nëpër institucione publike.

Pasi në muajin mars të këtij viti emëroi tërë bordin e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Hidromorava”, me njerëz të vet, Lëvizja Vetëvendosje ka shkuar edhe më tej në kapjen e kësaj kompanie.

Të hënën më 27 qershor, ky bord që është emëruar nga Lëvizja Vetëvendosje e ka shkarkuar Muhamed Suliqin, i cili mbante postin e kryeshefit ekzekutiv të KRU “Hidromorava” që nga viti 2014, raporton Demokracia.com.

Në vend të Muhamed Suliqit, bordi ka emëruar ushtrues detyre, Abdylaziz Selmanin, i cili edhe në të kaluarën kishte mbajtur detyrën e ushtruesit të detyrës, por që më pas ishte dënuar me gjobë nga gjykata, pasi që një punëtore e kësaj ndërmarrjeje kishte bërë kallëzim penal ndaj tij për ngacmim seksual.

Muhamed Suliqi ka thënë për Demokracia.com se nuk ka qenë i njoftuar paraprakisht për shkarkimin e tij nga ana e bordit, por që vetëm të premten e 24 qershorit kishte pranuar një e-mail për mbledhje të jashtëzakonshme të bordit, me pikën e vetme të rendit të ditës “Shqyrtimin e performancës së kryeshefit ekzekutiv”.

“Sot e kemi mbajt mbledhjen, m’kanë liruar nga detyra, m’kanë shkarkuar bordi i ri që ka ardhur. Unë e njoftova edhe bordin e ri që ka ardhur se do t’i drejtohem gjykatës me nda drejtësinë. Sot në mbledhjen e jashtëzakonshme, bordi ka caktu si pikë të rendit të ditës “Shqyrtimi i performancës” të kryeshefit ekzekutiv. E kemi mbajt mbledhjen, as material nuk kanë kërku. Unë prej 2014-ës deri më sot jam kryeshef dhe mandat kam deri më 8 shtator 2023. Unë e mora materialin e performancës, menaxhmenti ku është ajo pasqyra e jemja, ku do me thënë për çdo vit kam pas ngritje. Ngritje kom pas pavarësisht sfidave që i kemi pas, thatësirën, Covidin, se njihet këtu Hidromorava për thatësi. E kemi menaxhu me menaxhmentin. Nuk kemi pasur ndonjë problem ose ndonjë rast konkret gjyqësor”, ka treguar Suliqi për Demokracia.com.

I pyetur nëse shkarkimi i tij ishte politik, ai ka thënë se shkarkimi ka qenë i qëllimshëm dhe me tendenca politike, duke bërë të ditur se në lidhje me këtë vendim të bordit do t’i drejtohet edhe organeve të drejtësisë.

“Ky bord u ardh më 18 mars, i cili e ka mbajt mbledhjen e shtatë. Për tre muaj, unë bordit i kërkova që me e shqyrtua performancën, se performanca nuk vlerësohet për tre muaj. Performanca duhet me shku deri në 1 vit. Edhe kërkova që unë me e kry mandatin dhe vlerësojeni performancën. Po ata e morën një vendim për me m’liru nga detyra, kështu që unë i njoftova që do t’i drejtohem gjykatës. Jo, bordi nuk më ka njoftuar për shkarkim, vetëm një pikë e rendit të ditës ka qenë në mbledhje. Të premten kemi mbajt mbledhje të bordit, edhe mbledhja ka përfunduar diku rreth orës 17:30. Janë procesverbalet dhe qat ditë të premten më 24.06.2022 e kam pranu e-mailin që të hënën më 27.06.2022 do të mbahet mbledhje e jashtëzakonshme prej orës 09:00 me të vetmen pikë “Shqyrtimi i performancës të kryeshefit ekzekutiv”, ku nuk kanë pas asnjë material, as nuk kanë kërkuar për performancën time, por kjo ka qenë e qëllimshme, me tendenca politike”, sqaroi Suliqi.

Ai po ashtu për Demokracia.com ka bërë të ditur në mbledhjen e bordit është shqyrtuar vetëm për tre muaj performanca e tij e madje nuk kanë pasur ndonjë material të performancës dhe as nuk është diskutuar performanca e tij.

Suliqi ka thënë se për shkak se ky shkarkim është me tendencë politike, ky bord i ka dërguar tri vërejtje me shkrim, të cilat ai thotë se janë të pabaza, në mënyrë që të kenë mundësi dhe arsye për shkarkim.

“Nuk kanë kërkuar me shqyrtu performancën hiq. Vetëm e kanë shqyrtuar për 3 muaj, më kanë dhënë tri vërejtje, vërejtje të pabaza të cilat i kam kundërshtuar dhe këta e kanë bërë për arsye se vërejtjen e tretë ma kanë dhënë të premten, pa bazë, nuk kanë bazë aty. Edhe që me tri vërejtje, që me ma bo shkarkimin sot. Nuk ka qenë tamam si kërkohet që kur e qet një pikë të rendit të ditës kërkohet materiali edhe diskutohet, por kanë qenë pa material, ku unë e kam pas me vete materialin e performancës nga 2014 deri më 2021-in edhe e kam marrë e kam bo kopje edhe qat material e kanë marrë e kanë shiku aty për aty edhe nuk kanë diskutuar rreth asaj performance, se performanca është e mirë edhe janë dokumentet të gjitha që mund të vlerësohen, por këto kanë qenë të gjitha tendenca të cilat, si me thënë, drejtësia ekziston”, theksoi Suliqi.

Demokracia.com ka kontaktuar edhe me Habil Zeqirin, Kryesuesin e Bordit të Drejtorëve të KRU “Hidromorava” në lidhje me shkarkimin e Muhamed Suliqit dhe emërimin e Abdylaziz Selmanit si ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv.

“Po, po kjo është e vërtetë. Bordi i Drejtorëve në mbledhjen e jashtëzakonshme që e ka mbajt dhe me vota unanime e ka vendos edhe është shkarkuar, edhe është shqyrtuar performanca e tij e punës, edhe në bazë të të gjeturave që janë has, edhe bazuar në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, dy vitet e fundit ka performuar bilanc negativ. Raporti ka qenë me opinion të kundërt edhe këto kanë qenë shkeljet që janë bërë edhe është shkarkuar. Pas kësaj pike të rendit të ditës, prapë bordi me vota unanime, do me thënë të gjithë e kanë emëruar si ushtrues detyre Abdylaziz Selmanin, për periudhën deri në shpalljen e konkursit, i cili së shpejti do të shpallet. Edhe pastaj me konkurs publik zgjidhet kryeshefi i ri”, ka treguar Zeqiri.

I pyetur se si mundet që bordi të emërojë Abdylaziz Selmanin në postin e ushtruesit të detyrës së KRU “Hidromorava”, kur i njëjti vite më parë kur mbante këtë post ishte dënuar për ngacmim seksual ndaj një punëtoreje, Zeqiri ka thënë se kjo nuk është e vërtetë dhe se këtë mund të vërtetojë edhe me fakte.

“Dëgjoni, ne nuk kemi absolutisht, asnjë shkelje nuk kemi bërë për arsye se ky person (Abdylaziz Selmani) nuk ka kurrfarë padie apo çështje gjyqësore që ka. Është i liruar prej gjykatës i pafajshëm dhe nuk ka kurrgjë të bëj me këtë. Ne e kemi dokumentacionin dhe mundemi me ua përcjell që gjithçka është në rregull. I kemi pasur parasysh të gjitha. Është një person me kredibilitet, me të gjitha, me përvojë menaxheriale, me të gjitha këto. Ne i kemi të gjitha dëshmitë”, tha Zeqiri.

Në dokumentin e lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjilan, të cilin e posedon Demokracia.com, thuhet se ndaj Abdylaziz Selmanit aktualisht nuk është duke u zhvilluar ndonjë procedurë penale dhe se ka qenë i dënuar me gjobë prej 600 eurosh.

Gjithashtu, kjo gjykatë ka bërë të ditur se Selmanit në vitin 2019 i është thënë dënim i formës së prerë, përkatësisht më 22.06.2020 dhe për shkak se i njëjti e ka paguar gjobën si dënim, atëherë llogaritet që nuk ka më pasoja ligjore.

“Në rastin konkret, personi në fjalë me Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, P.nr. 101/2018 të datës 03.06.2019, i cili është bërë i formës së prerë më datën 22.06.2020 është dënuar me dënim me gjobë në shumë prej 600 euro. Dhe këtë dënim me gjobë e ka paguar sipas zyrës së ekzekutimeve të Gjykatës tonë EDGJ. Nr. 188/2020 më datë 07.10.2020. Kështu që në kuptim të nenit 93 lidhur me nenin 96 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës në fjalë, me vet faktin që dënimi me gjobë është paguar (ose nëse kemi të bëjmë me vërejtje gjyqësore), personi i tillë për këtë dënim me gjobë sipas fuqisë ligjore nuk ka pasoja ligjore”, thuhet në vërtetimin e Gjykatës Themelore. /Demokracia.com/

Të ngjashme