OpEd
Bombat në veri s’ua prishin avazin Pozharit e Gashit, vazhdojnë me kritika ndaj “ish-regjimit”
Demokracia
12:39 | 09 Dhjetor 2022

Share:

“Gjithçka e re nga fronti i veriut” – do të shkruante Erih Maria Remark, sikur të ishte raportuese nga veriu i Kosovës. Në këtë pjesë të parehatshme të territorit kosovar, ka pasur zhvillime të reja gjatë 48 orëve të fundit, teksa situata e sigurisë është fragjile, me 11 bomba të shokut të hedhura në dy ditët e fundit.

Ambasadori Amerikan, Jeffrey M. Hovenier ka thënë se ShBA-të janë të shqetësuara se kushtet “nuk janë të duhurat që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë.”

Por ndryshe ka menduar ministri i brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili, duket se nuk ka mësuar nga tensionet e mëhershme në veri, pra që ambasadori amerikan di gjëra më shumë se Qeveria e Kosovës dhe se nuk duhen të marrin vendime pa e pyetur.

“Absolutisht që po, absolutisht ne kemi kapacitete me i mbajtë zgjedhjet.” – deklaroi me një ton prej “triumfalisti” Sveçla.
Këto zhvillime dhe deklarata kanë shkaktuar reagime tek “yjet e estradës” së analistëve kosovarë. Sidomos atyre pro-pushtetit, që iu erdhi mundësia të marrin shumë pelqime në Facebook.

Gjithashtu, do komentojmë edhe urrejtjen dhe mosdurimin ndaj shqiptarëvë të Shqipërisë të shfaqur nga një politikan kosovar, që vetën e quan krenarisht “pinjoll i Prishtinës”.

Statusi nr.1: Shkëlzen Gashi
“Përpara e kontrabandojshim 1 litër naftë prej veriut për 60 centë e e shitshim knej 120 centë, e tash”, shkruan Shkëlzen Gashi në profilin e tij në Facebook.

Komenti jem:
Edhe Shkëlzen Gashi, që njihet se e dënon plagjiaturën universitare, e ka kopjuar, por pa e cituar, hiç me pak se Gani Gecin, ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës. Geci, që ishte i ftuar në emisionin “Pressing”, përmendi të njëjtat shifra, duke thënë se në veri nafta dikur shitej për 60 centë, ndërsa në jug ajo kushtonte 1 euro e 20 centë.

Gashi e ka kopjuar, po ashtu, një strategji të lashtë, gati po aq të lashtë sa paraardhësit tanë ilirë. Kritika ndaj qeverive të kaluara dhe përkrahja e aksioneve të Qeverisë Kurti në veri është gjetja më e mirë për të marrë shumë pëlqime. Natyrisht, aspak kreative. Sidoqoftë, Shkëlzen Gashi e ka kuptuar mirë, duke e zbatuar këtë “recetë” vazhdimisht. Andaj, strategjia më e sigurtë në gjahun e pëlqimeve po i sjell sukses, pasi ai ka marrë mbi 1 mijë pëlqime. Urime dhe suksese!

Statusi nr. 2: Yll Hoxha
“Bashkësia ndërkombëtare duhet ta ketë parasysh se sjelljen e serbëve në Kosovë e shohin edhe pakicat tjera në republikat tjera”, shkruan, ndër tjera, analisti Yll Hoxha.

Komenti jem:
Yll Hoxha e ka kapërcyer “rubikonin”. Nga një libral, Hoxha është shndërruar në nacionalist. Kjo është e kuptushme, pasi që kur e ka ndërruar partinë, pra që nga kalimi i tij në LVV-je, ai i ka reformuar edhe qëndrimet e tij.

Megjithatë, nuk e di se kur e ka bërë kapërcimin e dytë. Pra që kur analisti Hoxha është bërë një trim kaq i madh, aq sa për të marrë guximin e të kërcënojë edhe bashkësinë ndërkombëtare. Është qëndrim i pakuptimtë dhe nuk i shkon aspak z. Hoxhës. Madje, gjuha e tillë nuk ka kuptim as sikur ta kishin përdorur edhe ish-komandanët si Fatmir Limaj apo Ali Ahmeti, që dikur ishte lidër i UÇK-së në Maqedoninë e Veriut.

Tani edhe me keq, Hoxha është analist në një debat televiziv politik dhe duket që nuk ka haberin për “Marrëveshjen e Ohrit” dhe as ngjashmëritë me Pakon e Ahtisarit. Prandaj, me gjasë kjo është arsyeja pse Hoxha nuk ka marrë edhe aq shumë pelqime në postin e tij. Nejse, është pak e çuditshme, që një njëri që çdo natë është në televizion ka kaq pak ndjekës dhe pelqime. D.m.th. s’e kuptoj pse kaq pak vërehet ai.

Statusi nr.3: Xhevdet Pozhari
“I mirëkuptoj ata që përpara janë ndje me të sigurtë kur ministër i brendshëm ka qenë Skënder Hyseni”, ka shkruar Xhevdet Pozhari.

Komenti jem:
Xhevdet Pozhari jeton në një univers paralel. Në një kohë të pasigurisë në veri, ai gjen kohë të përqesh një ish-ministër, që aktualisht është veç qytetar i thjesht i Republikës së Kosovës. Pozhari zhurmëmadh, çuditërisht nuk ka asnjë fjalë për 11 bombat në veri, dhe as për pasigurinë që po e ndjejnë qytetarët shqiptarë në veri. Në fakt, nuk ka asgjë të çuditshme në heshtjen e tij, pasi ajo është e përllogaritur mirë.

Heshtja e tij tregon animin e tij politik. Sepse po të shkruante për shpërthimet e bomave të shokut në veri, Pozhari do të privohej nga “aftësia” e tij, aspak e lakmueshme, për servilosje ndaj Qeverisë Kurti. E për këtë duhet ta bëjë duke sulmuar një ish-ministër.

Pse duhet të ndjehemi të sigurtë me një Qeveri që nuk ka njohuri se çfarë ndodhë në veri?Këtë nuk ka shanca me dëgju nga Pozhari, që kritikon veç ish qeverisjet.

Statusi nr. 4. Bardhyl Meta
“I ka pas transformuar në qenie pa kurriz, në një “qenie t’adaptueshme, t’transformueshme e t’përshtatshme për cdo rrethanë”, ka shkruar anëtari i LDK-së, Bardhyl Meta, për shqiptarët e Shqipërisë.

Komenti jem:
Si mundet një njeri, që dikur ka mbajtur postin e deputetit, të sulmojë një popull të tërë me këtë gjuhë? Ky është racizëm ndaj shqiptarëvë të Shqipërisë. LDK duhet patjetër të distancohet nga anëtari i saj, Bardhyl Meta, dhe ta dënojë këtë gjuhë raciste dhe dehumanizuese ndaj shqiptarëvë të Shqipërisë. Në rast se veprohet ndryshe, pra nëse LDK zgjedh heshtjen karshi këtyre deklaratave, do t’u jap të drejtë të gjithë atyre që e akuzojnë partinë e Abdixhikut si urrejtëse të Shqipërisë. Z. Meta duhet të kuptojë që kosovocentrizmi nuk nënkupton denigrim të Shqipërisë dhe shqiptarëve andej Drinit.

Të ngjashme
OpEd • 19 Prill 2024
OpEd • 18 Prill 2024