Lajme
Bombardohet pista e aeroportit të Aleppo-s në Siri
Demokracia
23:32 | 14 Tetor 2023

Share:

Sipas raportimeve të fundit nga mediat shtetërore siriane, Izraeli ka bombarduar pistën kryesore të aeroportit të Aleppo-s (më i madhi në Siri), duke shkaktuar dëme të shumta.

“Pasojat e agresionit kundër aeroportit të Alepos janë duke u vlerësuar në këtë moment”, tha agjencia shtetërore e lajmeve siriane, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Deklarata vjen pasi Izraeli tha se iu përgjigj zjarrit të artilerisën pasi raketat u lëshuan nga Siria, në lartësitë e Golanit.

Izraeli nuk ka kursyer kohë në fakt dhe ka nisur menjëherë një kundërofensivë në rajonet jugore të Sirisë, ku gjenden militantë, të cilët kanë hedhur më parë raketa në rajonin Golan, në veri të Izraelit.

Sipas raportimeve, ka gjasë që këto raketime izraelite drejt Sirisë të zgjaten më tej gjatë natës, edhe si një sinjal për kundërshtarët, se Izraeli mund të përballojë luftën në shumë fronte të ndryshme.

Kjo, edhe pse forcat kryesore janë vendosur në veri të Gazas, ku në orët në vijim pritet një inkursion i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, me qëllim zhdukjen e Hamasit.

Jo vetëm kundrejt këtyre të fundit, por edhe në fronte si ai verior izraelit në kufirin me Libanin (ku po luftohet sporadikisht me Hezbollahun), apo edhe fronti kundër militantëve në Siri, ka pasur shkëmbim zjarri mes forcave izraelite dhe palës tjetër.

Një eksponent i Hezbollahut është vrarë nga luftimet e zhvilluara me Izraelin.

Pavarësisht kësaj, grupi militant libanez, i mbështetur nga Irani, ka zgjedhur përkohësisht të mos përfshihet në mënyrë direkte në luftimet mes Izraelit dhe Hamasit, duke formuar një front të dytë zyrtar luftimesh brenda territorit izraelit.

Të ngjashme