Më 24 mars të vitit 1999, NATO kishte publikuar një komunikatë përmes së cilës konfirmonte fillimin e fushatës bombarduese ndaj Serbisë, e cila po terrorizonte popullin në Kosovë.
NATO përmes kësaj komunikate, e cila gjendet edhe në faqen zyrtare të Aleancës, kishte deklaruar se çdo përpjekje për zgjidhje politike, ka dështuar, përcjell Demokracia.com.
“Më 24 mars, nisi operacioni i Forcave Aleate pas shumë muajsh përpjekje intensive që të gjendet një zgjidhje politike për krizën në Kosovë. Vendimi i NATO-s për të përdorur forcën u mor vetëm pasi u bë e qartë se të gjitha përpjekjet për të arritur një zgjidhje politike të negociuar kanë dështuar dhe se nuk ka asnjë alternative tjetër të hapur”, thuhej në këtë komunikatë.
NATO kishte bërë të ditur se operacionet intensive ajrore po kryhen kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe, me qëllim të dobësimit të Qeverisë së drejtuar nga Sllobodan Millosheviq.
“Objektivi përfundimtar i Aleancës vazhdon të jetë mbështetja e përpjekjeve diplomatike të komunitetit ndërkombëtar që të gjendet një zgjidhje politik për këtë krizë. Operacionet intensive ajrore janë duke u kryer tani kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe, me qëllim të prishjes dhe dobësimit të aftësisë së Qeverisë Jugosllave që ta vazhdojë fushatën e saj të territorit kundër popullatës civile të Kosovës, për të parandaluar katastrofa të mëtejshme humanitare dhe që të shmanget përhapja e destabilitetit në rajon. Ky zgjerim kundër strukturës ushtarake të RFJ-së do të intensifikojë degradimin e caqeve strategjike dhe forcave të Qeverisë Jugosllave në Kosovë, pavarësisht rrezikut të madh. Po bëhet çdo përpjekje për të shmangur dëmet kolaterale”, thuhej në komunikatë.
Në fund, NATO bënte të ditur se dënon dëbimin me shumicë të civilëve kosovarë nga shtëpitë e tyre dhe shkatërrimin që po u bëhej nga ushtria serbe, përcjell Demokracia.com.
Sot mbushen 23 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, që në atë kohë përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi.
Masakra në Fshatin Reçak shënoi kthesën në luftë, pasi që komuniteti ndërkombëtar humbi durimin me politikat agresive të Millosheviçit i njohur si ‘Kasapi i Ballkanit, dhe mori vendimin për intervenim ushtarak për të parandaluar eskalimin e mëtejshëm të dhunës dhe masakrave në Kosovë.
Njoftimin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.
Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.
Operacionet e NATO-s përfunduan pas nënshkrimit të marrëveshjes tekniko-ushtarake për tërheqjen e ushtrisë dhe policisë jugosllave nga Kosova./Demokracia.com/