Lajme
Bombardimet ajrore| Vetëm kaq ditë iu deshën NATO-s që ta “çmontonte” ushtrinë serbe
Demokracia
18:19 | 24 Mars 2022

Share:

Dëme të mëdha në infrastrukturën e ushtrisë serbe ishin shkaktuar nga 24 marsi 1999, kur edhe nisën bombardimet ndaj shtetit që po kryente gjenocid në Kosovë.

Kështu, NATO përmes një komunikate për media të publikuar në maj kishte deklaruar se mbi gjysma e avionëve luftarakë të Forcave Ajrore të Jugosllavisë ishin shkatërruar, përcjell Demokracia.com.

Në këtë komunikatë të NATO-s theksohej se gjatë kësaj periudhe ishin shkatërruar rreth 50 për qind të depove të municionit që kontrollohej nga serbët.

“Fushata ajrore e NATO-s ka nisur të bëjë dëm të madh në infrastrukturën e ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë. Mbi gjysma e avionëve luftarakë të vijës së parë të Forcave Ajrore Jugosllave janë shkatërruar dhe 75% e sipërfaqes së fiksuar në vendet e raketave ajrore. NATO ka shkatërruar gjithashtu një të tretën e të gjitha pajisjeve të rënda serbe në Kosovë dhe 50% të depove të municionit, së bashku me një pjesë të madhe të rrjetit dhe infrastrukturës së komandës dhe kontrollit të serbëve”, thuhej në këtë komunikatë, transmeton Demokracia.com.

Aty theksohej se do të diskutohet edhe për praninë ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë, në varësi të situatës.

Sot mbushen 23 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, që në atë kohë përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi, përcjell Demokracia.com.

Masakra në Fshatin Reçak shënoi kthesën në luftë, pasi që komuniteti ndërkombëtar humbi durimin me politikat agresive të Millosheviqit, i njohur si ‘Kasapi i Ballkanit, duke çuar në vendimin për intervenim ushtarak për të parandaluar eskalimin e mëtejshëm të dhunës dhe masakrave në Kosovë.

Njoftimin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

Operacionet e NATO-s përfunduan pas nënshkrimit të marrëveshjes tekniko-ushtarake për tërheqjen e ushtrisë dhe policisë jugosllave nga Kosova./Demokracia.com/

 

 

 

Të ngjashme