Lajme
Bllokohet Graçanica, “Vidovdan” mbledh serbët në një vend
Demokracia
07:59 | 28 Qershor 2023

Share:

Ka nisur tubimi i të gjithë serbëve në komunën e Graçanicës.

Dita e Vidovdanit shënohet nga serbët për çdo vit, për çdo 28 qershor.

Si gjithmonë, Vidovdani do të organizohet nga Kisha Ortodokse. Megjithatë, këtë vit në një tjetër lokacion.

Zakonisht, “Vidovdani” festohet në Gazimestan, dhjetë kilometra larg kryeqytetit, Prishtinës, por këtë vit do të mbahet në Graçanicë. Kjo me vendim të peshkopit, Teodosije Shibaliq.
Manifestimi ka nisur nga ora 7:00 e mëngjesit, dhe për këtë do të angazhohet Policia e Kosovës.

Qytetarë serb të ndryshëm nga vende nga Kosova por edhe vendet fqinje tashmë kanë nisur që të mblidhen për këtë festë.

 

4 autobusë me targa nga Beogradi tashmë kanë zbarkuar në Graçanicë.

T7 po qëndron në komunën e Graçanicës.

E njëjta ka dhënë detaje lidhur me angazhimet policore që do t’i ndërmarrë në kuadër të aktiviteteve që mund të realizohen me rastin e “Kurban Bajramit” dhe të “Vidovdanit”.

Sipas njoftimit, Policia e Kosovës ka paraparë disa masa dhe objektiva strategjike për implementim gjatë ditës së nesërme, në mënyrë që situata të kalojë qetë dhe pa incidente.

Do të ndërmerren masat e nevojshme planifikuese, koordinuese, preventive dhe operative, në mënyrë që aktivitetet të zhvillohen në suaza normale të rendit dhe qetësisë publike, do të bëhet shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, garantimi i lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët, kontrollimi dhe menaxhimi i rrjedhës së trafikut në të gjitha rrugët magjistrale, rajonale dhe ato lokale, angazhimi i njësiteve policore për riorientim të trafikut në ato rrugë ku mund të ketë ndërprerje të përkohshme të rrugës apo të ndonjë korsie, si dhe zbatimi i kompetencave dhe autorizimeve ligjore, përballë situatave të ndryshme dhe marrja e masave ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës ka treguar se do të ndërpritet përkohësisht qarkullimi i automjeteve në hyrje-daljet e komunës së Graçanicës, konkretisht, në hyrje të fshatit Mramor dhe nga ana tjetër në hyrje të lagjes ”Veterrniku”, ku automjetet do të riorientohen në rrugë alternative deri në përfundim të festës së Vidovdanit.

Ndërkaq, një ditë më parë, qytetarët serbë u mblodhën në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë për të shënuar festën e Vidovdanit. Aty u prezantua një dokument i quajtur “Deklarata e Vidovdanit”.

Në deklaratë thuhet se komuniteti serb në Kosovë është “i ekspozuar ndaj dhunës”.

“Ka ardhur koha – “ose Asociacioni ose serbët do të dinë çfarë do të bëjnë”, u tha gjatë leximit të deklaratës.

Nga Beogradi, që nga java e kaluar është paralajmëruar miratimi i deklaratës së serbëve nga Kosova. Në ndërkohë, edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq kishte konfirmuar se serbët do të ndërmarrin “hapa aktivë për Vidovdan, pa specifikuar se çfarë do të jenë, por me shënimin se “në Vidovdan mund të dihet gjithçka”.

Teksti i këtij dokumenti, që përmban pesë pika, ku në të fundit thuhet se “në Vidovdan shihet gjithçka”, është lexuar nga ish-kryetari i komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq.

Kisha Ortodokse Serbe feston këtë datë në përkujtim të serbëve në betejën kundër ushtrisë së Perandorisë Osmane në Kosovë, në vitin 1389.

Në Gazimestan, në këtë ditë të qershorit të vitit 1989, ishte fjalimi i ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq i cili u konsiderua si një paralajmërim i luftërave që do të vijonin me fillimin e viteve të 90-ta.

Në të njëjtën datë, disa vite më vonë, përkatësisht në vitin 2001, Millosheviqi u ekstradua në Tribunalin e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, për të cilat u akuzua.

Të ngjashme