Lajme
Bllokimi i llogarive bankare përplasë pozitën dhe opozitën në Gjilan
Demokracia
07:19 | 12 Shtator 2022

Share:

Komuna e Gjilanit është pothuajse e zhytur në borxhe. Kjo ka bërë që ditë më parë përmbaruesit t`ia bllokojnë edhe xhirollogaritë.

Derisa ato për momentin janë zhbllokuar, qeverisja aktuale akuzon qeverisjen e kaluar se e ka lënë komunën me shumë borxhe.

Por zyrtarë të qeverisë së kaluar thonë se edhe ata i trashëguan ato borxhe.

Mbi 8 milionë euro është shuma e borxheve që ka komuna e Gjilanit.

Këto borxhe u krijuan për shkak të shpronësimeve dhe proceseve gjyqësore e të cilat rezultuan me bllokimin për 15 ditë të llogarive bankare të komunës.

Për borxhet e krijuara, udhëheqësia e kësaj komuna e akuzon pushtetin e kaluar.

“Ne në Gjilan e kemi trashëguar një borxh jashtëzakonisht të lartë, mbi 11 milion euro borxhe reale dhe janë mbi 15 milion euro në procese gjyqësore që kanë të bëjnë kryesisht me shpronësimet”, tha Riad Rashiti, drejtor për Buxhet dhe Financa në Kuvendin Komunal të Gjilanit.

“Realisht, aktualisht kemi pasur për dy javë të bllokuara llogaritë për arsye të vendimeve përmbarimore që kane shkuar në thesarin dhe ministrinë e financave dhe të transfereve dhe një obligim prej 3.3 milion eurove është barrë e komunës për të cilat është blloku llogaria e komunës….Ne gjate ëetij viti kemi paguar 3.2 milion euro borxhe dhe 3.3 janë në pritje të vendimeve të ekzekutimit teëvendimeve përmbarimore. Ne total jemi në borxhe aktuale 8.193.000 euro”, tha Rashti.

Por shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-s, në Kuvendin Komunal të Gjilanit thotë se ata kanë lënë borxhe në vlerë prej 7.7 milionë eurosh, teksa pjesa tjetër sipas tij, janë bartur nga viti 2012 kur në pushtet ishte drejtori i tanishëm i financave.

“Gjatë fushatës zgjedhore kryetari Hyseni e ka pas thënë qartë se e njeh shkëlqyeshëm gjendjen e Komunës pra, edhe nga aspekti financiar dhe se kjo nuk paraqet problem për të sepse e ka zgjidhjen edhe për këtë, ndërsa tani mospunën e tij dhe mosinteresimin dhe mosguximin me i kërkuar shefit të tij financa për Gjilan po mundohet me fshehë pas kinse borxheve që i paska gjetur”, thotë Avdyl Aliu  shef i grupit te LDK-s, në KK Gjilan.

“Nuk e di një komunë të vetme në Kosovë që me rastin e ndërrimit të pushteteve nuk trashëgohen obligimet financiare që dmth e merr gjendjen zero, zero. Edhe qeverisja jonë në 2013 kemi trashëguar nga qeverisja PDK-së obligime , bile shumë më të mëdha se këto tani, mirëpo për ne ka qenë gjendje e njohur dhe ne kemi vazhduar me punë”, tha Avdyl Aliu për RTK.

Aktualisht xhirollogaritë e kësaj komune janë liruar por megjithatë ekziston rreziku që ato të ribllokohen sërish nga vendimet përmbarimore.

Të ngjashme