Partitë politike kanë vazhduar ta akuzojnë njëra-tjetrën për ngërçin e krijuar në Kuvend. Derisa opozita e deridjeshme fajin për moskonstituimin e Kuvendit ia ka lënë partisë së Albin Kurtit, VV-ja për bllokimin e Kuvendit e ka drejtuar gishtin nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja.
Pas ndërprerjes së sotme të seancës konstituive, e cila ka filluar më 15 prill, përfaqësuesit e këtyre partive nuk e kanë përjashtuar opsionin e zgjedhjeve si dalje nga kriza aktuale. Ata kanë thënë se zgjedhjet e reja mund të jenë një rrugëdalje nga kriza.
Kryetar i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se është e turpshme që konstituimi i Kuvendit po mbetet peng i një personi.
“Është komplet e pakuptimtë, është e turpshme që për teke të një personi, të një kandidati, të një deputeteje, me mbet peng shteti. Kjo është pengmarrje e shtetit të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka ftuar VV-në që të ndryshon propozimin për kryetare të Kuvendit.
Ai ka bërë me dije se nëse VV-ja nuk reflekton, zgjedhjet e reja mund të mbahen në muajin maj ose qershor.
“Nuk i ka votat as për qeveri. Sikur t’i kishte votat për qeveri do t’i kishte edhe votat për kryetar të Kuvendit. Ose duhet konstituar Kuvendin ose një marrëveshje politike, ose të shkohet në zgjedhje. Duhet ta propozuar dikë tjetër. Nuk dua t’ua imponoj kandidatin. Veten ta propozon ai. Nëse nuk dalim nga kjo situatë zgjedhje do të kemi në maj ose në qershor. Albulena Haxhiu nuk kalon. I ftoj të ndërrojnë kandidatin, nxirreni dike që i merr votat”, ka thënë Krasniqi.
Edhe deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, mendon se fajin për këtë bllokadë e ka VV-së.
“Po mënoj që nuk ka kurrkush naj strategji taktikë, veç jemi mbete qështu. Veç po dojnë me lanë qështu, kjo pesha e fajit më e madhja o prej këtyre që i kanë 42 vota plus me aleatët e vetë. Po më doket që popullit të Kosovës po i them, qashtu qysh keni votu, qatij që ia keni dhanë shumicën, mënoj që duhet edhe kryetari i Kuvendit mu zgjedhë qashtu qysh kanë votu qytetarët”, ka deklaruar Berisha.
Por, ndryshe mendon partia e Albin Kurtit.
Zyrtarët e kësaj partie e kanë kritikuar PDK-në, LDK-në dhe AAK-në për mosvotim të Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
Deputeti i VV-së, Hekuran Murati, ka thënë se opozita e deridjeshme është fajtore për bllokimin e Kuvendit.
“Kundërshtitë që po bëhen kanë të bëjnë me shumë me taktizime sesa që kemi të bëjmë me ndonjë arsye konkrete, Albulena Haxhiu, është gruaja me e votuar në zgjedhjet e fundit, pra ka çdo të drejtë dhe është larg mëndësh të thuhet që nuk i plotëson kushtet, realisht kushtin e plotëson secili deputet dhe ne kemi shkuar edhe më tutje duke propozuar një grua për kryetare të Kuvendit”, ka theksuar Murati,
Sipas tij, qëllimi i fundit i VV-së janë zgjedhjet e reja.
“Nuk është qëllimi ynë të shkojmë në zgjedhje, ai do të ishte opsioni i fundit për ne, nëse në fund të ditës, Kuvendi, deputetët refuzojnë ta konstituojnë Kuvendin, atëherë opsioni i fundit mbetet ai”, ka deklaruar Murati.
Kurse, deputetja dhe kandidatja e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se janë të gatshëm të flasin për datën e zgjedhjeve.
Pas seancës, ajo ka thënë se zgjedhjet po shihen të pashmangshme.
“VV-ja e ka dhënë qartë qëndrimin e saj, ka mungesë të vullnetit që të konstituohet Kuvendi. Jemi gati të presim partitë, të flasim me to për datën e zgjedhjeve. Nëse refuzojnë ta konstituojnë Kuvendin, është e qartë që vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Kushtetuta parasheh duhet të jenë 61 vota për kryetarin e Kuvendit”, ka thënë Haxhiu.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës edhe sot në përpjekjen e gjashtë kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.
Kandidatja e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk i ka marrë votat e nevojshme për kryeparlamentare.
Pas hedhjes në votim të kandidaturës së saj, vetëm 57 deputetë kanë votuar “pro”. Kundër saj kanë votuar 47 deputetë, kurse 3 kanë abstenuar.