Lajme
Presidentja e gatshme për konsultime me liderët e partive
Demokracia
18:45 | 25 Prill 2025

Share:

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tashmë ka ofruar gatishmëri të plotë për konsultime me liderët e partive, kurdo që ata e shohin të nevojshme.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur gatishmërinë e saj të plotë për të zhvilluar konsultime me liderët e partive politike, në çdo kohë që ata e vlerësojnë të nevojshme, për të gjetur një zgjidhje që do të çonte në konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Këshilltari për media i Presidentes Osmani, Bekim Kupina, ka thënë se “Presidentja Osmani, nëpërmjet letrës drejtuar kryesuesit të seancës z.Avni Dehari, më 16 prill, tashmë u ka ofruar përfaqësuesve të partive mundësinë për takime, duke shprehur gatishmërinë e plotë për konsultime kurdo që ata e shohin të nevojshme”.

Kjo iniciativë vjen në kuadër të përpjekjeve për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve dhe për të ndërtuar konsensus rreth çështjeve me interes të përbashkët për vendin.

Ndryshe, deputetët dështuan të premten (sot) për herë të gjashtë radhazi në përpjekje për ta konstituuar Kuvendin.

Procesi ka ngecur pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit.

“Të thërrasë një takim me liderët”| Ngërçi në Kuvend, Presidentes i kërkohet të ndërhyjë

Albulena Haxhiu, për herë të katërt, i mori vetëm 57 vota, nga të paktën 61 vota të nevojshme për t’u zgjidhur.

Ndërsa, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ndaj situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar procesin e përsëritur të seancave çdo 48 orë si një cikël absurd pa reflektim politik dhe pa rezultat konkret.

KDI i bëri thirrje Presidentes së Republikës që të ndërmarrë hapa konkretë duke ftuar liderët e partive politike parlamentare në një takim të përbashkët për të diskutuar zgjidhje të mundshme për tejkalimin e bllokadës institucionale.

“Presidentja, sipas Kushtetutës, ka përgjegjësi të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve. Në një situatë kur institucioni më i lartë përfaqësues është i paralizuar, angazhimi i saj nuk është vetëm i justifikuar, por i domosdoshëm”, përfundon reagimi i KDI-së.

Vazhdimi i seancës konstituive do të mbahet më 27 prill në orën 10:00.

Pas ndërprerjes së sotme të seancës konstituive, e cila ka filluar më 15 prill, përfaqësuesit e partive politike nuk e kanë përjashtuar opsionin e zgjedhjeve si dalje nga kriza aktuale. Ata kanë thënë se zgjedhjet e reja mund të jenë një rrugëdalje nga kriza.

Më të zëshëm në këtë drejtim kanë qenë zyrtarët e VV-së.

Deputeti i VV-së, Hekuran Murati, ka thënë se opsioni i fundit janë zgjedhjet.

“Nuk është qëllimi ynë të shkojmë në zgjedhje, ai do të ishte opsioni i fundit për ne, nëse në fund të ditës, Kuvendi, deputetët refuzojnë ta konstituojnë Kuvendin, atëherë opsioni i fundit mbetet ai”, ka deklaruar Murati.

Edhe kandidatja e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se janë të gatshëm të flasin për datën e zgjedhjeve.

“VV-ja e ka dhënë qartë qëndrimin e saj, ka mungesë të vullnetit që të konstituohet Kuvendi. Jemi gati të presim partitë, të flasim me to për datën e zgjedhjeve. Nëse refuzojnë ta konstituojnë Kuvendin, është e qartë që vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Kushtetuta parasheh duhet të jenë 61 vota për kryetarin e Kuvendit”, ka thënë Haxhiu.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe deputeti i VV-së, Faton Peci.

“Dihet që ose i themelojmë institucionet, ose e bëjmë Kuvendin, e themelojmë ne qeverinë, ose shkojmë në zgjedhje. Hatërmbetja me kandidaten për kryetare munet me shku më gjatë, ama apet besoj që do të ketë reflektim”, është shprehur Peci.

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se presidentja Vjosa Osmani ka shprehur gatishmëri të plotë për t’u takuar me partitë politike kurdo që ato e konsiderojnë të nevojshme.

Megjithatë, deri më tani, asnjëra prej partive politike nuk ka kërkuar zyrtarisht përfshirjen e Presidentes në ndonjë proces apo iniciativë konkrete.

“Presidentja Osmani u ka ofruar partive mundësinë për takime, duke shprehur gatishmërinë e plotë që kurdo që ata e shohin të nevojshme, ajo mund t’i presë për konsultime. Deri tani asnjë nga partitë nuk ka kërkuar involvimin e Presidentes”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani.

Gjatë së premtes seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka përjetuar një tjetër dështim, duke e bërë të pamundur zgjedhjen e kryetares së Kuvendit për herë të katërt radhazi.

Albulena Haxhiu, kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për këtë pozitë, nuk ka arritur të sigurojë mbështetje të mjaftueshme nga deputetët, duke mbajtur një mbështetje prej vetëm 57 votash, nga 61 që janë të nevojshme. Në këtë seancë, e cila pati 118 deputetë të pranishëm, votimi ka pasur 47 deputetë që kanë votuar kundër dhe 3 që janë abstenuar./Demokracia.com/.

Të ngjashme