Lajme
Blinken në Katar: Nga kthimi i palestinezëve në tokat e tyre, te dënimi i ashpër i rebelëve Houthi
Demokracia
20:40 | 07 Janar 2024

Share:

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka bërë të qartë se palestinezët duhet me patjetër të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre, sapo kushtet ta lejojnë diçka të tillë, teksa ka lëshuar kërcënime të forta për rebelët Houthi të Jemenit, lidhur me sulmet e këtyre të fundit në Detin e Kuq.

Këto, kryediplomati amerikan i nënvizoi nga vizita e tij në Katar, pjesë e një turi në rajon, për të krijuar një momentum të ri rreth situatës në Lindjen e Mesme dhe zhvillimeve në Gaza.

Fillimisht, ai kërkoi që civilët e zhvendosur palestinezë të kthehen në vendbanimet e tyre, sapo Izraeli të ulë intensitetin e fushatës së tyre ushtarake, me qëllim çrrënjosjen e Hamasit.

Ndërsa, eksodin masiv të rezidentëve të Gazës, i përfolur shumë herë nga Izraeli, ai e ka përjashtuar kategorikisht, duke përforcuar mendimin se ata përkasin në tokën e tyre dhe duhet të lejohen të kthehen aty.

Më tej, lidhur me rebelët Houthi dhe sulmet e tyre, ai tha se gjithë bota po preket nga këto goditje, që kanë më së shumti të bëjnë me anijet tregtare, të cilat kalojnë në Detin e Kuq.

Huthit janë zotuar se do të synojnë anijet e lidhura me Izraelin derisa lufta në Gaza të ndalojë.

“Mbi një duzinë vendesh e kanë bërë të qartë se Houthit do të mbahen përgjegjës për sulmet e ardhshme”, tha Blinken, duke iu referuar një koalicioni detar të udhëhequr nga SHBA-të.

Po ashtu, ai ka shprehur keqardhjen më të thellë për vrasjen e gazetarëve në Gazën jugore, duke përmendur konkretisht rastin e Hamza Dahdouh, djalin e gazetarit Wael Dahdouh, i cili u vra së bashku me kolegun e tij, Mustafa Thuraya, gjatë një serie sulmesh izraelite.

Më parë, forcat izraelite kanë vrarë gjithashtu disa anëtarë të familjes së Dahdouh, në një sulm ajror.

“Nuk mund të filloj të imagjinoj tmerrin që ai ka përjetuar – jo një herë, por tani dy herë”, tha Blinken.

“Kjo është arsyeja pse ne po ngremë nevojën – e domosdoshme – jo vetëm për t’u siguruar që ndihma humanitare mund të arrijë tek njerëzit që kanë nevojë, por që njerëzit të mbrohen nga dëmtimi nga ky konflikt në radhë të parë”.

Departamenti Amerikan i Shtetit, megjithatë, ka lëshuar deklarata emergjente dy herë në javët e fundit për të dorëzuar bomba në Izrael, pa mbikëqyrjen e Kongresit.

Për këtë, Blinken nuk komentoi.

Ai gjithsesi e mbështeti Izraelin në kauzën për të luftuar Hamasin, duke qartësuar edhe se vijimi i aksioneve ushtarake tashmë duhet të jetë në një fazë tjetër, edhe pse nuk duhet të ndalen plotësisht, por të lejojnë ndihmat humanitare të kalojnë rregullisht për njerëzit në nevojë.

Të ngjashme
Lajme • 17 Maj 2024