Lajme
Blinken në Ditën e Pavarësisë së Kosovës përmend marrëveshjen me Serbinë dhe njohjen reciproke
Demokracia
09:39 | 17 Shkurt 2021

Share:

Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony J. Blinken, ka uruar Kosovën në 13-vjetorin e Pavarësisë.

Blinken përmes një komunikate për media, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare për rolin e tyre në mbështetjen e Kosovës.

Mes tjerash, Sekretari i Shtetit në këtë komunikatë ka përmendur edhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin.

Tutje, Blinken thekson arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila duhet të përfundojë me njohje reciproke mes dy palëve.

“Ne përgëzojmë vendosjen e fundit të Kosovës të marrëdhënieve zyrtare diplomatike me Izraelin dhe ne i përshëndesim përpjekjet tuaja për të vendosur marrëdhënie të normalizuara me Serbinë. Arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të përqendruar në njohjen reciproke do të kërkojë nga të gjitha palët të demonstrojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis.”, thuhet në këtë komunikatë.

Komunikata e plotë e përkthyer dhe pa ndërhyrje:

Në emër të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë e përgëzoj Kosovën ndërsa feston përvjetorin e saj të trembëdhjetë si një shtet sovran, i pavarur.

Shtetet e Bashkuara janë krenare për rolin e tyre të hershëm dhe të vazhdueshëm në mbështetjen e një Republike të pavarur të Kosovës për t’u zhvilluar në një vend multietnik, gjithëpërfshirës dhe demokratik. Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm drejt një të ardhme më të begatë, më të qëndrueshme dhe të sigurt. Ne përgëzojmë vendosjen e fundit të Kosovës të marrëdhënieve zyrtare diplomatike me Izraelin dhe ne i përshëndesim përpjekjet tuaja për të vendosur marrëdhënie të normalizuara me Serbinë. Arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të përqendruar në njohjen reciproke do të kërkojë nga të gjitha palët të demonstrojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis.

Shtetet e Bashkuara vlerësojnë lidhjet e forta midis njerëzve tanë dhe do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit Euro-Atlantik. I uroj siguri dhe shëndet të mirë njerëzve të Kosovës ndërsa ne vazhdojmë të punojmë së bashku për të kapërcyer sfidat e vazhdueshme të paraqitura nga pandemia e COVID-19./Demokracia.com/

Komunikatën zyrtare mund ta lexoni duke klikuar KËTU.

 

 

Të ngjashme