Lajme
Blinken-Kurtit: Marrëveshja me Serbinë thelbësore për anëtarësimin në BE
Demokracia
14:33 | 08 Prill 2021

Share:

Sekretari i shtetit amerikan, Antony Blinken i ka dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përmes së cilës ka bërë të ditur se sigurimi i një marrëveshjeje për normalizim me Serbinë, duke rezultuar në njohjen e ndërsjellë  është thelbësore për Kosovën, në rrugën e saj drejt BE-së.

Blinken po ashtu ka uruar Kurtin për pozitën e kryeministrit si dhe ka përgëzuar popullin e Kosovës për zgjedhje të suksesshme dhe demokratike, të mbajtura më 14 shkurt.

Po ashtu përmes kësaj letre thuhet se SHBA-ja kanë mirëpritur formimin e qeverisë Kurti dhe zotimet e kryeministrit për luftimin e korrupsionit dhe sundimin e ligjit si dhe rikuperimin nga pandemia COVID-19, përcjell Demokracia.com.

“Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, i ka dërguar një letër urimi Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet së cilës e ka përgëzuar atë dhe popullin e Kosovës për zgjedhjet e suksesshme dhe demokratike, të mbajtura më 14 shkurt.

Ai ka shkruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mirëpritur formimin e qeverisë së re dhe se presin të punojnë ngushtë për të siguruar, siç ka thënë ai, që Kosova sovrane, e pavarur, shumë-etnike dhe demokratike të zë vendin e saj si partner i barabartë në familjen euro-atlantike.

Sekretari Blinken i ka mirëpritur zotimet e kryeministrit Kurti për luftimin e korrupsionit, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe rikuperimin nga pandemia COVID-19, si edhe përpjekjet e tij për realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës.

Më tej, në letër ai ka thënë se sigurimi i një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim me Serbinë, e përqendruar në njohjen e ndërsjellë është thelbësore për Kosovën që të arrijë potencialin e saj të plotë dhe të ecë përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Do të keni mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim, ka thënë sekretari Antony J. Blinken”, thuhet në komunikatë./Demokracia/

Të ngjashme