Ka nisur takimi ndërmjet sekretarit amerikan Antony Blinken me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Ky është takimi i parë i përbashkët i këtij formati në Departamentin e Shtetit në Uashington D.C.
Sekretari Blinken e ka vlerësuar angazhimin e Kosovës në strehimin e qytetarëve afganë dhe pozicionimin e saj karshi Ukrainës, përcjell Demokracia.com.
“Jemi duke punuar së bashku për të përcaktuar disa çështje që janë të rëndësishme për SHBA-në dhe shtetin tuaj. Ju falënderoj që keni pritur afganët dhe keni mbështetur Ukrainën kundër agresionit rus. E çmoj lidershipin tuaj dhe nesër do të nënshkruani me MCC kontratën për energji. Kemi punuar në çështjet kritike të sigurisë rajonale. Është kënaqësi që t’ju mirëpresim në Departamentin e Shtetit”, ka thënë Blinken.
Ndërsa, presidentja Osmani e falënderoi sekretarin Blinken në emër të qytetarëve të Kosovës, për të cilët tha se SHBA-ja ua ka shpëtuar jetën.
“Partneriteti me SHBA-në nuk është vetëm i domosdoshëm, por ka qenë ekzistencial për ta arritur lirinë tonë, arritjen e pavarësisë dhe vazhdon të mbetet i tillë. Kosova është demokraci në zhvillim dhe kjo tregon se çka mund të arrijë bota demokratike e udhëhequr nga SHBA kur përballet me tiraninë. Ashtu siç keni qëndruar pranë nesh, sot jeni me Ukrainën. Populli i Kosovës qëndron me Ukrainën siç e kemi treguar, duke miratuar sanksione në ditën e njëjtë që ka miratuar edhe SHBA e BE. Siç e dini është bërë përpjekje që të destabilizohet Ballkani Perëndimor nga Rusia. Ne vazhdojmë të mbesim aleat me SHBA dhe BE për të siguruar që këto gjëra të ndalohen në rajon. Jemi të kënaqur që të punojmë me ju për të mbrojtur demokracinë dhe vlerat tona të përbashkëta. I mirëpresim bashkë me kryeministrin për të vazhduar reformat në sundimin e ligjit. Ju falënderojmë për mbështetjen tuaj në çdo hap që kemi bërë deri tani dhe konkretisht mbështetjen në fushën e mbrojtjes”, tha Osmani.
Ajo tha se Kosova është realiteti i pakthyeshëm. /Demokracia.com/