Lajme
Blindohet fort Dogana e Kosovës, blen tri vetura antiplumb me afër gjysmëmilioni euro
Demokracia
19:19 | 28 Qershor 2024

Share:

Tri vetura antiplumb i ka blerë Dogana e Kosovës përmes një tenderi, vlera e të cilit është 473 mijë euro. Këto vetura janë të prodhuara në vitin 2023-2024 dhe janë me kilometra zero-zero.

Dogana e Kosovës ka blerë tri vetura tepër të sigurta. Ato janë të blinduara, i rezistojnë edhe gjuajtjeve me armë.

Për çfarë raste do të përdoren këto vetura nuk është dhënë ndonjë sqarim, ndonëse brenda ATK-së thuhet se këto vetura planifikohen të përdoren nga doganierët në veriun e Kosovës.

Dihet se për blerjen e tyre janë shpenzuar 473 mijë euro, deri sa kontrata mes kompanisë fituese dhe Doganës është nënshkruar dje.

“Furnizimi me automjete të reja të blinduara. Data e dhënies së kontratës, 27.06.2024. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës, 10.07.2024. Numri i tenderëve të pranuar: 6. Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata “PRICOM”. Vlera e përgjithshme e kontratës, 473,367.00 euro”.

Në dosjen e tenderit tregohet se në këtë çmim janë përfshirë edhe mirëmbajtja e veturës dhe servisimi.

“Afati i liferimit të veturës jo më gjatë se 100 ditë nga koha e lëshimit të urdhërblerjes nga ana e Autoritetit Kontraktues. Në kuadër të çmimit ofertues, OE duhet të përfshijë shërbimin e të gjithë mirëmbajtjes së automjetit (vaji dhe të gjithë filtrat, punën e dorës) për periudhën që automjeti është nën garancion”.

Dogana ka treguar pse është dhënë ky tender.

“Qëllimi i kontratës është furnizim dhe shërbim pas-shitjes nga operatori ekonomik i mallrave vijuese. Lënda e kontratës është furnizimi me tri automjete të blinduara sipas karakteristikave teknike të përcaktuara në Aneksin 1 të Dosjes së Tenderit”.

Këto vetura duhet të kenë garancion të paktën dy vite. Po ashtu, është kërkuar edhe garancion për blindimin e veturës.

“Operatori Ekonomik duhet të ofrojë deklaratë si formë e garancionit për pjesët mekanike, elektrike dhe pajisje elektronike – Minimum 24 muaj ose 100,000 km cila të arrin e para. Operatori Ekonomik duhet të ofrojë deklaratë si formë e garanconit për punët e realizuara për blindimin e veturës dhe blindimin në përgjithësi”.

Në këtë tender janë treguar edhe disa specifika që i kanë këto vetura.

“Specifikat teknike të detajuara. Automjeti i besueshëm 4WD i blinduar anti-plumb. Me trup (shasi) të përforcuar dhe një sistem amortizues të përmirësuar. I blinduar në përputhje me nivelin e certifikuar B6 CEN, EN 1063/EN 1522/1523 apo ekuivalente. Kabina: pjesa ndarëse anti-plumb e integruar dhe e bërë nga çeliku special i kalitur (përforcuar) duke përfshirë dyert, muret anësore, çatia e automjetit dhe të tjera; Dritaret: Të gjitha dritaret të jenë me xhama anti-plumb për mbrojtje kundër plumbave dhe shpërthimeve; Dysheme kundër-shpërthimit; Blindim i plotë anësor i pjesëve të motorit; Rezervuar të blinduar; Bateri me celula të thata apo blindim i baterive dhe ECU (njësia kontrolluese elektronike). Përkrahje shtesë e baterive të automjetit (Back up).

Këto vetura duhet të jenë të prodhuara gjatë vitit 2023/24.

“Viti i prodhimit: 2023-2024 i ri i papërdorur (00 kilometra). SUV-Tipi Veturë shumë-funksionale e blinduar 4×4. Ndërruesi i shpejtësive  –  Automatik ose Manual. Karburanti: Dizel. Dimensionet: Gjatësia 4760 mm Gjerësia: 1880 mm Lartësia: 1845 mm (+/-10% për të gjitha përshkrimet). Dimensioni në mes të boshteve: 2800 mm (+/-10% për këtë pozicion)”. /Demokracia.com/

Të ngjashme