Lajme
Blerta Deliu – Kodra: Bllokada për krijimin e institucioneve ka vetëm një emër – Kurti dhe LVV-ja
Demokracia
17:36 | 21 Maj 2025

Share:

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu – Kodra, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti për përgjegjësinë e bllokadës së krijimit të institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare.

Në emisionin FIVE, ajo ka theksuar se janë bërë përpjekje nga ana e PDK-së për të tejkaluar ngërçin, madje edhe me kërkesë për ndërrim të kandidatit për kryeparlamentar, por ka mungesë vullneti politik nga ana e LVV-së.

“Ne kemi zhvilluar disa takime, ka pasur disa përpjekje, edhe me vetë Kurtin edhe me grupet tjera parlamentare, partitë tjera, për të bërë përpjekje për të dalë nga kjo situata e bllokadës. Madje kemi shkuar edhe një hapë tutje, duke kërkuar që të kemi ndërrim të kandidates për kryeparlamentare. Por e para ka mungesë të vullnetit politik për ta tejkaluar ngërçin në të kundërtën vetë Kurti nuk do të deklarohej se nuk ka urgjencë për këto çështje”, ka deklaruar ajo.

Deliu – Kodra ka deklaruar se qytetarët po përballen me rritje të çmimeve të energjisë elektrike, ndërsa nga ana tjetër, siç ka thënë ajo, Kurti deklaron se nuk ka urgjencë për formimin e institucioneve, pavarësisht se kanë kaluar mbi tre muaj nga zgjedhjet.

Ajo ka akuzuar drejtpërdrejt LVV-në dhe Kurtin se janë përgjegjës për moskonsitutimin e Kuvendit edhe për herën e 19-të.

“Bllokada per krijimin e institucioneve ka një emër dhe ai është Kurti me LVV-në.”, ka deklaruar ajo ne emisionin FIVE.

Të ngjashme