Për shkak të arritjes së marrëveshjes jashtëgjyqësore, “Beni Dona Plast” e ka tërhequr padinë ndaj ish-deputetit Naser Rugova, përmes së cilës nga ky i fundit ka kërkuar kthimin e borxhit në lartësi prej 15 mijë e 500 euro.
Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Gashi tha se pala paditëse e ka tërhequr padinë ndaj Naser Rugovës, me arsyetimin se palët kanë arritur marrëveshje jashtëgjyqësore.
Ndryshe, me padinë e ushtruar me 6 nëntor 2014, Shoqëria “Beni Dona Plast” të cilën e përfaqëson Ragip Mustafa, ka paditur Naser Rugovën, duke kërkuar kthimin e borxhit.
Sipas padisë, paditësi Mustafa duke u bazuar në marrëdhëniet e mira që kishte me të paditurin Rugova dhe që t’i del në ndihmë, më 13 prill 2012, të njëjtit ia kishte huazuar shumën në lartësi prej 15 mijë e 500 euro, me afat kthimi deri më 20 prill 2012.
Tutje, thuhet se Mustafa i ka kërkuar Rugovës kthimin e borxhit, por i njëjti nuk e ka kthyer dhe nuk i është përmbajtur asnjë afati, madje as afatit të fundit të 11 shtatorit 2014, ndërsa pas kësaj paditësi i ka dhënë edhe një afat shtesë, të cilit i padituri nuk i është përmbajtur gjithashtu.
Mbi këtë bazë, paditësja “Beni Dona Plast” me përfaqësues Ragip Mustafën, përmes padisë ka kërkuar që i padituri Naser Rugova t’ia paguajë borxhin me kamatë 8%, duke e llogaritur nga 21 prilli 2012, si datë kur është dashur të kthehet borxhi, si dhe shpenzimet e procedurës.
Kurse, Naser Rugova me përgjigjen në padi të ushtruar më 30 nëntor 2016, ka thënë se në padi Ragip Mustafa nuk e tregon realitetin dhe e shtrembëron atë duke potencuar se i janë huazuar mjete në mënyrë që t’i dalë në ndihmë të paditurit.
Sipas përgjigjes në padi, pagesa ka qenë për arsye afariste – konsulence për dobi të kompanisë “Beni Dona Plast” dhe jo për dëshirë dhe dobi të të paditurit Rugova.
Rugova në përgjigjen në padi ka theksuar se konsulencat, projektet e fizibilitetit, apo edhe veprimet e marketingut mund të kenë sukses dhe benefite për kompaninë, por mund edhe të mos realizohen, në këtë mënyrë ka qenë edhe marrëdhënia e tij me Mustafën, për një konsulencë lobimi dhe në asnjë mënyrë huadhënie.
Po ashtu, në përgjigje në padi, thuhet se Rugova e konteston plotësisht padinë dhe pret vazhdimin e procedurave të parapara me ligj.