Lajme
Bizneset nisin t’i rrisin çmimet si pasojë e shtrenjtimit të rrymës
Demokracia
09:18 | 29 Prill 2025

Share:

Pas vendimit të ZRrE-së, për shtrenjtimin e energjisë elektrike nga 1 maji për 16.1% të tjera, një numër biznesesh në Kosovë vetëm se kanë nisur që të shtrenjtojnë çmimet e produkteve. Pronari i një furre buke në Pejë, Sejdë Shatri, thotë se disa nga furrat e bukës në këtë komunë veç se kanë nisur që një bukë ta shesin për 80 centë.

“Neve drejtë për së drejti na ndikon çmimi i rrymës, si të na shtrenjtohet rryma edhe mielli pa tjetër që do të shtrenjtohet buka. Pas një majit çmimi i bukës në Pejë do të jetë 80 centë.”, tha Sejdë Shatri, pronar i një furre buke.

Qytetarët thonë se shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe shtrenjtimet e tjera zinxhirore po e vështirësojnë jetën e tyre.

“Do duhej një reagim qytetar, sepse nuk është në rregull kjo, një bukë 80 centë.”, tha një qytetar.

“Do të jetë e papërballueshme, po na nuk po kemi n’dorë kurgjo”, tha një qytetar tjetër.

Në kundërshtim të vendimit të ZRrE-së, iniciativa qytetare “Asnjë centë ma shumë”, ka organizuar 3 protesta brenda një muaji, por pa ndonjë efekt në ndryshim të këtij vendimi. Kjo iniciativë ka thënë se nuk do t’i ndalin protestat e tyre. Ndërsa kanë paralajmëruar edhe padi kundër këtij vendimi. Në anën tjetër, profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa, ka arsyetuar bizneset të cilët kanë aplikuar shtrenjtimin e produkteve para se të hyjë në fuqi vendimi për shtrenjtimin e rrymës.

“Është normale që bizneset t’i paraprijë shtrenjtimit të energjisë elektrike në mënyrë që ta përballojnë ma lehtë kur hynë vendimi në fuqi. Ato janë para dy zgjidhjeve ose të largojnë punëtorët nga puna ose t’i shtrenjtojnë çmimet”, tha Mustafa.

Njohës të ekonomisë thonë se Kosova që nga muaji mars i këtij viti ka hyrë në valën e re të inflacionit. Situatë të cilën e konfirmojnë edhe të dhënat e Agjencisë së Statistikave.

“Sipas Agjencisë, rritjen më të madhe të çmimit e shënuan, kafja çaji për 17.1%, perimet për 8.7%, mishi për 8.3%, produktet e qumështit për 7.1%, pemët për 6.1% ndërsa buka dhe drithërat u shtrenjtuan për 2.1%. Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,9% në muajin mars 2025, krahasuar me muajin mars 2024.”

Ministri në dorëheqje i financave Hekuran Murati me mburrje tha se Kosova në vitin 2025 ka rritjen më të shpejtë ekonomike në Evropë. Rritjen që pritet ta ketë Kosova e ka konfirmuar edhe Banka botërore dhe fondi monetar. Por, kryetari i Aleancës së bizneseve, Agim Shahini, thotë se kjo rritje është duke ardhur për shkak të inflacionit të lartë me të cilin po ballafaqohen qytetarët

“Po kjo rritje ekonomike vjen edhe pa e pas qeverinë hiç, kjo është duke u ba falë sektorit privat të hyrave të tyre dhe vendeve të reja të punës pra konsumit, po kjo nuk është duke ndodhë për shkak se qeveria ka marr ndonjë masë”, tha Shahini.

Rritja ekonomike për vitin 2025  sipas Bankës Botërore pritet të jetë rreth 3.9% rritje e ngjashme me atë të vitit 2024.

Të ngjashme
Lajme • 29 Prill 2025