COVID-19KosovaSot:258Të gjitha:230,395|Bota 557,809,123
Lajme
Bizneset në Kosovë paguajnë deri në 600 euro për arkë fiskale
Demokracia
12:08 | 23 Qershor 2022

Share:

Bizneset në Kosovë për vite me radhë, kanë qenë të detyruara të paguajnë shuma të mëdha parash për t’u pajisur me printerë fiskal, pajisje kjo elektronike që është e domosdoshme për mbarëvajtjen e biznesit të tyre.

Kjo për faktin se çmimi i printerit fiskal në Kosovë tashmë ka shkuar deri në 550 euro.

Përveç çmimit të lartë, këto biznese janë të detyruara ta blejnë këtë pajisje tek vetëm një operator, pasi aktualisht në Kosovë është vetëm një kompani e licencuar që e ofron për shitje këtë pajisje fiskale.

Bazuar në të dhënat zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), kompani të autorizuara për shitje, instalim dhe mirëmbajtje të Pajisjeve Elektronike Fiskalë në Kosovë, janë vetëm katër.

Por, megjithëse janë të gjitha të autorizuara, aktualisht vetëm njëra prej tyre e ka të çertifikuar pajisjen e printerit fiskal.

Aktualisht, operatori “Service Global”, është e vetmja kompani që ofron shërbimet e shitjes për printerë fiskal në Kosovë, krahas dy llojeve të arkave fiskale dhe dy llojeve të tjera të sistemeve fiskale për derivate, përcjell Buletini Ekonomik.

Në kompaninë ‘Service Global’, printeri fiskal kushton hiç më pak se 435 euro, dhe atë pa TVSH.

Ndërkohë, nëse përfshihet TVSH-ja, abonimi dhe garancioni njëvjeçar nga kjo kompani, atëherë kjo pajisje (Printeri fiskal) kushton 540 euro.

Gjatë vitit të kaluar, si operator i çertifikuar për printerë fiskal kishte qenë edhe kompania tjetër ‘Enternet’ sh.p.k., por në përditësimin e fundit të ATK-së tek lista e të autorizuarve për PEF, kjo kompani nuk figuron më se është e çertifikuar për këtë pajisje.

Megjithatë, në uebfaqen e kësaj kompanie në internet, ende figuron si Pajisje për shitje edhe Printeri Fiskal, ndonëse nuk është e çertifikuar më nga ATK-ja.

Çmimi i printerit fiskal në këtë kompani, që deri në muajin nëntor kishte pasur monopol për këtë pajisje, ndërsa tani nuk e ka të çertifikuar për shitje këtë pajisje, është 452 euro+TVSH.

Ndryshe, Administrata Tatimore e Kosovës, në muajin tetor të vitit të kaluar, pati hapur një konkurs, ku i ftonte kompanitë e reja në këtë treg, që të aplikojnë për t’u autorizuar dhe çertifikuar për Pajisje Elektronike Fiskale.

Por, ky konkurs ishte “përmbyllur pa dhënë asnjë rezultat. Si rrjedhojë e kësaj, operatorët ekonomik të autorizuar me të drejtë shitje, instalimi dhe mirëmbajtje të Pajisjeve Elektronike Fiskale, kishin mbetur të njëjtit që nga viti i kaluar.

Si rezultat i kësaj, edhe monopoli në tregun e pajisjeve fiskale vetëm kishte kaluar nga një kompani në kompaninë tjetër, që siç duket, do ‘të vazhdojë’ edhe për një kohë, deri në çertifikimin e pajisjeve të njëjta fiskale nga dy e më shumë operatorë.

Edhe një hulumtim i Buletinit Ekonomik gjatë vitit të kaluar pati vërtetuar se bizneset në Kosovë edhe gjatë vitit të kaluar, printerin fiskal mund ta blenin vetëm tek një kompani prej katër sa ishin të licencuara për shitjen e arkave fiskale nga ATK-ja. Këtë ekskluzivitet e kishte pasur vetëm kompania “Enternet”, e cila përveç kësaj, kishte pronarin e njëjtë me kompaninë tjetër të arkave fiskale – “Gekos”.

Kjo kompani aktualisht ka të çertifikuara tri pajisje elektronike fiskale, dy lloje të arkave fiskale (mobile dhe statike), dhe sistemin fiskal të derivateve.

Të ngjashme