Lajme
Bislimit i dhimbset “imazhi i dëmtuar i Kosovës” nga sanksionet, vajton edhe pasojat ekonomike
Demokracia
18:27 | 24 Dhjetor 2023

Share:

Në qershor Brukseli kishte pasqyruar atë që kishte bërë Uashingtoni në maj. Kishte nisur masa ndëshkuese ndaj Kosovës; për herë të parë në historinë e re të vendit.

Krerët qeveritarë s’i bënin hesap duke i qujatur “të përkohshme” derisa shpreheshin të sigurt se meqënëse “jemi në kontakt” me Bashkimin Evropian, ato do të ishin jetëshkurtra dhe pesha e dëmit të tyre s’do të ndjehej fare.

Një deklaratë e BE-së më 3 qershor ishte injoruar në plotni, deklaratë kjo që kishte jehuar zhurmshëm prospektin e sanksionimit të vendit – gjë që edhe ndodhi, e që qëndron ende në efekt.

Në një eufori dhe histeri kolektive që kishte të bënte me veriun dhe mbajtjen me “doemos” të dy kryetarëve shqiptarë legalë (ndonëse jo legjitimë) në ndërtesa komunale në dy komuna të veriut që s’i shërbenin kujt gjë përveç ushqimit politik e simbolik të Lëvizjes Vetëvendosje, thirrjet euro-amerikane thjesht binin në vesh të shurdhër.

Frazat si “nuk bëjmë kompromis me sundim të ligjit” ishin ngritur në nivele absolute dhe si maksima shtetërore në çdo deklarim qeveritar; gjë që ishte kritikuar gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare për metodën e një zbatimi rigjid dhe mekanik të këtij sundimi të ligjit që gërshetohej në pika të thyerjes të situatës së sigurisë.

Kjo kritikë u kthye në sanksionim.

Për më tepër, mediat më prestigjioze ndërkombëtare ishin stërmbushur me tituj për trazirat në veri dhe ku pesha e rëndesës së fajit i përshkruhej Kosovës, e në veçanti kryeministrit Albin Kurti.

Hiç më larg se sot – afro gjashtë muaj pas – Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, duke folur në Euronews Albania tha se sanksionet amerikane dhe evropiane “kanë dëmtuar imazhin ndërkombëtar dhe ekonominë e Kosovës”; pohim ky i cili shënon një ndryshim dhe prerje nga përdredhjet semantike që është prodhuar t’i bëhet situatës.

Bislimi i quajti “të padrejta” dhe masa ndëshkuese “që duhet zhbërë” ndonëse Bashkimi Evropian i ka qëndruar linjës që njëherë të ketë shtensionim në veri; me këtë duke nënkuptuar largimin e dy kryetarëve të Vetëvendosjes në veri: Erden Atiq dhe të vetëngunjuarit Lulzim Hetemi

Bislimi – i cili ndonëse kishte negocuar një marrëveshje rezultatet e të cilës s’e panë kurrë dritën e diellit; përkatësisht atë në Bratisllavë – tash gishtin e potencimit të fajit e drejtoi nga Hungaria, e cila, sipas tij, ka penguar konsensusin mes vendeve të unionit njëzet e shtatë shtetësh për të hequr masat e BE-së.

Sipas tij, Hungaria ishte disensusi, dhe edhe ashtu e vetme, si “emëruesi më i vogël i përbashkët” arriti që me pozicionin e saj “të mbizotërojë”.

Në lidhje me këto masa dhe këtë deklarim të Bislimit, ka reaguar sot edhe deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Rrezarta Krasniqi, e cila edhe përllogariti projektet e bllokuara si pasojë e këtyre masave ndëshkuese ekonomike; pa i llogaritur ato politike.

“• 92 mil euro: rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimeve të Prishtinës

• 9.95 mil euro: menaxhimi i mbeturinave dhe ekonomisë rrethore

• 9 mil euro: menaxhimi i integruar ndërkomunal i mbeturinave në rajonin e Dukagjinit

• 7.2 mil euro: përmirësimi i rrjetit të transmisionit, faza VII

• 7 mil euro: mbështetja e institucioneve të ndryshme për t’iu qasur politikave dhe legjislacionit me standardet e BE-së si dhe zbatimi i marrëveshjeve nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

• 6 mil euro: mbështetja e kthimit të komuniteteve dhe ri-integrimi i tyre në shoqëri

• 3 mil euro: efikasiteti energjetik në ndërtesat publike në komuna

• 3 mil euro: qasje e barabartë e vajzave dhe djemve romë, ashkali dhe egjiptianë në arsimin para fillor, fillor dhe të mesëm

• 2.5 mil euro: përmirësimi i përfshirjes sociale për gratë dhe burrat nga komunitetet jo-shumicë në Kosovë

• 2 mil euro: rrjeti për grumbullimin e kanalizimeve dhe ujërave të stuhisë në Prishtinë

• 1 mil euro: programe të vullnetarizmit për të rinjtë dhe të rejat.

• 0.8 mil euro: përkrahja e profesioneve juridike

• 0.35 mil euro: studimi i fizibilitetit për impiantin e ujërave të zeza në Ferizaj

• 0.35 mil euro: studimi i fizibilitetit për impiantin e ujërave të zeza në Podujevë”.

Kjo është lista, sipas Krasniqit, e projekteve që janë bllokuar.

Të ngjashme