Lajme
Bislimi thirrje OSBE-së të ndërhyjë: Po manipulohet regjistrimi i shqiptarëve në Luginë
Demokracia
18:28 | 11 Tetor 2022

Share:

Në Serbi nga fillimi i muajit tetor ka filluar regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përfshirë edhe atyre që janë larguar nga vendlindja, u bëhet thirrje që t’i përgjigjen këtij regjistrimi.

Mirëpo ky proces po përcillet me shumë probleme.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi përmes një reagimi në Twitter ka kërkuar përfshirjen e OSBE-së në këtë proces për të parandaluar manipulimet.

“Agresivitet dhe pengesa selektive gjatë procesit të regjistrimit të shqiptarëve në Serbi. Veçanërisht në Medvegjë ku janë vetëm tre komisionerë shqipfolës dhe që të gjithë janë vendosur në zona që nuk janë të banuar me shqiptarë. Urgjentisht të përfshihet OSBE për të parandaluar manipulimet”, ka shkruar Bislimi.

I dyti i ekzekutivit megjithatë ka vazhduar me apelin për shqiptarët e Medvegjës që të regjistrohen.

“Akoma më urgjente është që të gjithë shqiptarët e Medvegjës të regjistrohen në mënyrë masive në javët në vijim”, ka përfunduar Bislimi.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë në takimi me Avokatin e Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, kanë folur për hapat e mëtejmë në adresimin e problemeve me të cilat po përballen qytetarët shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Të ngjashme