Lajme
Bislimi shkon në Bruksel për dakordimet e fundit rreth themelimit të Zajednicës
Demokracia
20:17 | 09 Nëntor 2023

Share:

Besnik Bislimi më 16 nëntor do të udhëtojë për në Bruksel, për t’u marrë vesh për detajet e fundit rreth themelimit të Zajednicës. 

Nga Bashkimi Evropian kanë thënë se takimi i ardhshëm në nivel kryenegociatorësh do të ketë në fokus hapat e ardhshëm të procesit të normalizimit dhe zbatimin e zotimeve të palëve.

Në një përgjigje për Koha.net, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Peter Stano, ka konfirmuar se takimi do të mbahet të enjten e ardhshme në Bruksel.

“Mund të konfirmojmë se emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian do të organizojë takim në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel të enjten e ardhshme. Takimi do të fokusohet në hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit dhe zbatimin e zotimeve të palëve në dialog”, ka thënë Stano.

Edhe vetë zëvendëskryeministri Bislimi dje e ka konfirmuar se takimi i radhës në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi do mbahet të enjten e 16 nëntorit në Bruksel.

Ai ka konfirmuar se së shpejti do të udhëtojë drejt Brukselit për t’u takuar me shefin e ekipit negociator të Serbisë, Petar Petkoviç, për të diskutuar hapat e radhës drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars), në kuadër të përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e BE-së, shkruan Demokracia.com.

“Ne nuk jemi më në fazën e negocimit në Bruksel. Ne jemi në fazën e zbatimit të marrëveshjeve. Nuk ka më kompromise në negocim. Kompromiset kanë përfunduar. Jemi në fazën e zbatimit të marrëveshjeve, ku Kosova insiston që marrëveshjet të zbatohen pa vonesa dhe pa parakushte”, ka deklaruar të mërkurën zëvendëskryeministri Bislimi.

Kujtojmë se në qershor të vitit të kaluar, Bislimi publikisht ishte zotuar se në atë moment që Qeveria ndryshon qëndrim rreth Asociacionit, ai do të jepte dorëheqje.

Pas gati një viti e gjysmë gjërat kanë ndryshuar, por Bislimi nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë. Qeveria tashmë e ka bërë të qartë se e ka pranuar draftin e BE-së për formimin e Asociacionit.

Në një intervistë në “Debat Plus”, në qershor të vitit të kaluar, Bislimi ishte zotuar se në atë moment që Qeveria ndryshon qëndrim për këtë çështje do të jepte dorëheqje.

Ai kishte deklaruar se dorëheqjen nga posti i zëvendëskryeministrit do ta ofronte edhe nëse flitej për Asociacion me kompetenca joekzekutive.

“Në atë moment kur Qeveria e ndryshon qëndrimin për Asociacionin edhe thotë se do të krijohet Asociacioni, qoftë edhe me kompetenca joekzekutive, Besnik Bislimi nuk është më në dialog. Ndoshta dikush tjetër vjen dhe e bën”, kishte thënë Bislimi. /Demokracia.com/

Të ngjashme