Lajme
Bislimi s’e sheh të arsyeshme të ndryshohet vendimi për targat as pas kërkesave të SHBA-së
Demokracia
19:08 | 01 Nëntor 2022

Share:

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, thotë se kërkesa për zëvendësimin e targave ilegale të makinave, që Serbia i lëshon për qytetarët e Kosovës, nuk mund të shihet më si çështje e negociueshme në dialogun Kosovë-Serbi.

Bislimi thotë se pret që zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e këtyre makinave me targa të Kosovës, të shkojë mirë, pa pasur nevojë për gjobitjen e qytetarëve.

“Nuk besoj që ka arsye që ky vendim të ndryshojë. SHBA-ja, si vend mik, ka dhënë sugjerimet e veta për Republikën e Kosovës me idenë që kjo do të ndihmonte futjen në legalitet të të gjithë poseduesve të veturave me targa ilegale. Ajo që mediave si duket po u ikë, është pikënisja e interesimit të SHBA-së. Askush nuk e konteston legjitimitetin e vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe askush nuk e konteston faktin që këto targa janë ilegale dhe askush nuk e konteston faktin që këto targa nuk është dashur të ekzistojnë fare, maksimumi pas janarit të vitit 2018. Do të thotë, ekzistenca e tyre tregon që Serbia i ka shkelur marrëveshjet ndërkombëtare”, tha Bislimi në një intervistë për REL.

Kujtojmë se menjëherë pasi Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për targat, sekretari i Shtetit Antony Blinken është shprehur i zhgënjyer me Qeverinë, pasi që refuzoi t’i respektojë kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për të shtyrë për 10 muaj zbatimin e vendimit për targat.

Blinken i ka thënë mediumit “The Pavlovic Today” se Kosova ka të drejtë që ta implementojë vendimin nën Marrëveshjen e Brukselit, por se kërkesa që të shtyhet afati, u refuzua nga kryeministri Kurti.

Shtetet e Bashkuara thanë se së bashku me faktorin ndërkombëtar kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia dhe t’i konvertojnë ato në targat RKS – Republika e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë një gjë të tillë nga partnerët ndërkombëtarë”, u tha në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

SHBA-ja më herët kishte bërë të ditur se është kërkesë e saj dhe e Bashkimit Evropian që Kosova të shtyjë afatin për riregjistrim për dhjetë muaj.

Të ngjashme