Lajme
Bislimi në Parlamentin Evropian: Kosova ka bërë përparim të konsiderueshëm viteve të fundit
Demokracia
10:17 | 28 Shkurt 2023

Share:

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është duke mbajtur fjalim në Parlamentin Evropian. Para se të flasë për Kosovën, ai ka thënë disa fjalë për Ukrainën, duke e konfirmuar përkrahjen e vendit tonë për shtetin e përfshirë nga lufta. Më pas, ai ka folur për aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

“Ukraina ende nuk e njeh Kosovën, por Kosova i njeh shumë mirë dhimbjen dhe plagët e Ukrainës, pasi është ballafaquar me një mizori shumë të ngjashme në historinë tonë të vonshme. Përderisa vazhdojmë të qëndrojmë krah për krah me Ukrainën dhe në mënyrë të qëndrueshme ta konfirmojmë rreshtimin tonë me BE-në, unë përsëri bëj thirrje për liri për Ukrainën dhe e shpreh solidaritetin e plotë nga Kosova”, tha Bislimi.

“Kjo luftë na i hapi sytë shumë prej neve dhe na bëri që ta kuptojmë rëndësinë e lirisë dhe unitetit. Ekziston një ndjenjë e fuqishme e propozimit të përbashkët në mesin e anëtarëve të Bashkimit Evropian për ta parë më qartazi kërcënimin e përbashkët. Edhe një herë, ne të gjithë kuptuam se sa jetike është demokracia për mbrojtjen e paqes dhe mirëqenies dhe se sa e rëndësishme është që të mbrohen Evropa dhe Bashkimi Evropian si projekti më i suksesshëm i paqes në Evropë”, shtoi ai.

Më tutje, ai tha se Kosova ka bërë përparim të konsiderueshëm dhe ka bërë përpjekje për të treguar se është partnere e besueshme.

“Të dashur deputetë, vendi im ka bërë përparim të konsiderueshëm viteve të fundit, por ne duhet të jemi të papërkulshëm në përpjekjet tona për të dëshmuar se jemi partner i besueshëm dhe plotësisht i përkushtuar ndaj vlerave dhe parimeve të përbashkëta të BE-së. Ne e kemi shfaqur vullnetin tonë për t’u ballafaquar me rrugën e vështirë të reformave substanciale dhe zotimin tonë të vazhdueshëm për t’i promovuar demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”, tha zëvendëskryeministri Bislimi.

“Të dashur miq, më lejoni që t’u sjell ndër mend të gjithë neve se Kosova është vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që ka aplikuar për anëtarësim. Duke qenë i njohur si kandidat potencial një kohë të gjatë më parë, krahas gjashtë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, më 15 dhjetor të vitit të kaluar, ne më në fund për ta shndërrruar statusin tonë potencial në status të kandidatit zyrtar”, shtoi ai.

Të ngjashme