Lajme
Bislimi në intervistë te Danasi, tregohet optimist se BE-ja do t’i heqë masat para takimit Kurti-Vuçiq
Demokracia
12:10 | 09 Shtator 2023

Share:

Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës, ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën e njohur të Serbisë “Danas”, ku ka folur për shumë tema, përfshirë dialogun me Serbinë, zhvillimet në veri, të drejtat e serbëve në Kosovë dhe të shqiptarëve në serbi. 

Dyshi i Qeverisë Kurti foli për takimin që pritet të ndodhë në mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Bislimi është shfaqur optimist se do të largohen masat së shpejti. Më saktësisht, Bislimi vlerësoi se masat do të largohen para takimit në mes Kurtit dhe Vuçiqit më 14 shtator.

“Deklarata e BE-së e 3 qershorit, së bashku me masat e vendosura më pas e konfirmojnë këtë. Megjithatë, në më pak se dy javë do të ketë një takim të ri të nivelit të lartë dhe pritet që BE-ja të sigurojë barazinë e palëve në dialog duke hequr masat ndëshkuese para këtij takimi.” – theksoi ai.

Tutje, në intervistë për Danasin, Bislimi theksoi nevojën për të zbatuar marrëveshjet e arritura, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit.

“Ne e kuptojmë se njohja formale nuk është aty dhe ky ishte një lëshim i madh i Kosovës. Është e rëndësishme që ne të ndërtojmë marrëdhënie të qëndrueshme si anëtarë të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare. Vendime të tilla madhore duhet të merren nga liderë të guximshëm dhe shpresoj se lidershipi i Serbisë do të gjejë forcë për ta zbatuar Marrëveshjen Bazike në plotni.” – shtoi z. Bislimi.

Dyshi i Qeverisë Kurti foli edhe për veriun e Kosovës.

“Ne dëshirojmë që situata në veri të Kosovës të jetë më e mirë, por të paktën nuk ka tensione. Ne do të donim të jemi më afër qytetarëve tanë atje, por Beogradi i minon këto përpjekje dhe i pengon serbët e Kosovës të përdorin shërbimet dhe të gëzojnë të drejtat që u takojnë.” – theksoi ai.

Bislimi e akuzoi Serbinë se po i sakrifikon serbët e Kosovës.

“Në këtë drejtim, Serbia nuk përmbahet të sakrifikojë serbët e Kosovës në përpjekje për ta vërtetuar këtë. Vakumi i sigurisë dhe institucional i krijuar më 5 nëntor supozohej t’i shërbente këtij objektivi. Ne jemi të vetëdijshëm që kryetarët aktualë nuk gëzojnë legjitimitet të plotë, por kemi bërë çdo përpjekje të mundshme duke përfshirë shtyrjen e afatit të zgjedhjeve dhe më vonë edhe të afatit për regjistrimin e partive për të siguruar që përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë të garonin për këto zyra. Vakumi institucional nuk i shërben askujt. E njëjta gjë me policinë, një qytetar që ka nevojë për mbrojtje duhet të jetë në gjendje të thërrasë policinë për ndihmë. Kosova është shtet multietnik, në këtë drejtim, synimi ynë është të sigurojmë që anëtarët e komunitetit të integrohen institucionalisht. Ne jemi të vetëdijshëm se mungesa e policëve serbë nuk ngjall besim të mjaftueshëm dhe po bëjmë maksimumin për ta ndryshuar këtë, por kjo nuk mund të bëhet pa parandalimin e presionit dhe frikësimit të vazhdueshëm të Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës të cilët vendosin t’i bashkohen Policisë së Kosovës.” – shtoi Bislimi.

Të ngjashme