Lajme
Bislimi i reagon Osmanit: Mund t’i kërcënoni aleatët tanë, por pastaj s’do të mundeni
Demokracia
11:03 | 31 Gusht 2023

Share:

Ish-zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi i ka reaguar presidentes Vjosa Osmani pas “kërcënimit” që kjo ia bëri presidentit Emmanuel Macron, pas deklaratës së tij në lidhje me vizat.

Bislimi përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se politika e mençur e një shteti nuk do të duhej t’i dobësonte apo t’i lëndonte marrëdhëniet me aleatët.

“Politika e mençur e një shteti si Kosova do duhej të sforconte sa me shumë lidhjet dhe marrëdhenjet me aleatët e partnerët ndërkombëtarë, e assesi t’i dobësonte apo lëndonte ato. Koston e çasjes kërcënuese në raport me këta miq e aleatë nga ana e kreut të shtetit tonë, e bartim të gjithë; e bartë Kosova.” – ka thënë ai.

Tutje, Bislimi ka shkruar si vijon: “Ju sot edhe mund t’i shpërfillni ata e bile edhe t’i kërcënoni, por pastaj s’do mundeni!”.

Në fund, ai ka deklaruar se rruga që e solli vendin deri te liria e pavarësia ishte partneriteti i sinqertë me aleatët ndërkombëtarë, e jo ndasia me ta.

“Rruga që na solli deri tek liria e pavarësia është rruga e partneritetit të sinqertë me ta, e jo ajo e ndasisë. Dhe, është pikërisht kjo rrugë e asnjë tjetër, që do na e sigurojë vendin meritor në familjen e madhe të kombeve demokratike si NATO e BE!” – ka thënë tutje ai.

Të ngjashme