Lajme
Biseda në Shtëpinë e Bardhë dhe intervista e zëdhënësit të Blinken: Mesazhet nga ShBA-ja para takimit Kurti-Vuçiq
Demokracia
21:47 | 11 Mars 2023

Share:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë pa dyshim të angazhuara fuqishëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke i dhënë përkrahje planit evropian, të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka pranuar. Një bisedë e presidentit Biden me presidenten von der Leyen dhe intervista e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit në emër të sekretarit Blinken – nga ShBA-ja kanë ardhur mesazhe pak para takimit të 18 marsit. Çfarë u tha?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq pritet që të takohen javën tjetër, më konkretisht më 18 mars në Ohër, shkruan Nacionale.

Pas pranimit të planit evropian në takimin e 27 shkurtit, të cilin BE-ja dhe ShBA-të e konsideruan si përparim të madh, tashmë procesi ka hyrë në një fazë të re.

Mesazhe nga ShBA-ja

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në një konferencë për media pas takimit që pati me presidentin amerikan, Joe Biden, konfirmoi se kanë diskutuar edhe për dialogun mes dy vendeve.

Po ashtu, ajo dërgoi edhe një mesazh duke thënë se nuk është e lehtë, por procesi “po lëviz në drejtimin e duhur”.

“E kemi prekur këtë temë shkurtimisht. Është shumë e rëndësishme që dialogu Kosovë-Serbi vazhdon. Nuk është e lehtë. Ka shumë çështje për t’u zgjidhur, por po lëviz në drejtimin e duhur dhe ka mbështetje të plotë nga të dy palët për këtë dialog.” – tha ajo.

Ndërkohë, pak ditë më parë zëdhënësi i DASh-it, Ned Price, duke folur në emër të sekretarit Antony Blinken, dha detaje dhe pati kërkesa në një intervistë për “The Pavlovic Today”.

“Ky është një proces i udhëhequr nga BE-ja. Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur aleatët tanë në Bashkimin Evropian në çdo mënyrë që mundemi. Ne kemi qenë të pranishëm në këto bisedime. Gabe Escobar , Zëvendës Ndihmës Sekretari ynë, ka qenë i angazhuar në mënyrë aktive edhe me palët dhe do të vazhdojë të bëjë çfarë mundemi për të mbështetur këtë proces. Kjo, përsëri, ka ecur përpara në mënyra të rëndësishme, me disa punë të vështira përpara.” – ka thënë ai.

Price, ishte i qartë edhe në kërkesën e ShBA-së për Asociacionin, duke thënë se kjo çështje mbetet kritike dhe vendet duhet të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Progresi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike. Përmes dialogut, Serbia dhe Kosova besojmë se duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve. Progresi më pas do të hapë derën për integrimin evropian të të dy vendeve.” – tha mes tjerash ai.

Të ngjashme