Intervista
Biografi i Putin: Mund të dalë vetë nga skena duke lënë një pasardhës, bomba bërthamore? Vetëm nëse sulmohet Krimeja
Demokracia
20:50 | 02 Dhjetor 2022

Share:

“Corriere della Sera’

“Unë nuk do ta përjashtoja plotësisht mundësinë që në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, Putin të na surprizojë me një piruetë politike, duke i hapur rrugën një pasardhësi si një mjet për të lehtësuar gjetjen e një zgjidhje në Ukrainë. Është vetëm një shembull, por le të mos harrojmë se presidencialet e viti 2024 nuk do të ishin të lehta për të, sidomos pas asaj që po ndodh. Mbështetja e rusëve për të nuk është shumë aktive”.

Pak e kanë studiuar dhe e njohin Vladimir Putinin aq mirë sa historiani dhe gazetari anglez Philip Short, një korrespondent i vjetër i BBC nga Moska dhe Uashingtoni, dhe autor i asaj që është ndoshta biografia më e plotë dhe më e besueshme e liderit rus në qarkullim. Libri i tij “Putin: Një ditë, koha e tij” sapo ka dalë në treg në Itali.

Sa i qëndrueshëm është pushteti i  Putinit në këtë fazë?

Unë mendoj se pozicioni i tij në krye të vendit është i sigurt. Është e vërtetë, që ka një krisje në marrëdhëniet me ish-republikat sovjetike të Kaukazit dhe Azisë Qendrore. Që nga fillimi i luftës Rusia është shfaqur e shpërqendruar, dhe e ka humbur ndikimin në të ashtuquajturën fqinjësi të afërt, dhe ekziston mundësia që Turqia të përfitojë nga kjo.

Vendeve të Azisë Qendrore nuk u pëlqen ajo që po ndodh në Ukrainë, dhe ekziston një shqetësim i nënkuptuar se mund të pësojnë të njëjtin fat. Mos harroni se për shembull në Kazakistan ka një diasporë të fortë ruse. Por brenda vendit, Putin nuk është dobësuar shumë. Kjo gjë ende mund të ndodhë, nëse gjërat në terren përkeqësohen.

Por ato duhet të shkojnë vërtet shumë keq. Aktualisht vihen re disa përplasje të brendshme. Por këto rivalitete mes fraksioneve – silovikët, burokracitë, oligarkët – kanë qenë gjithmonë të pranishme. Putini i përdor dhe madje i nxit ato, pasi janë pjesë e sistemit të ri, raporton abcnews.al.

Për shembull përplasja e Prigogin, kreu i mercenarëve të Wagner, me Ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, i lejon atij të mbajë kontrollin e pushtetit. Pozicioni i Putin do të kërcënohej nëse këto grupe të ndryshme do të vepronin në koordinim apo në aleancë midis tyre. Por sot për sot kjo është e pamundur, me përjashtim të një përkeqësimi dramatik të situatës ushtarake.

A do të mundet mobilizimi ta parandalojë atë? Për momentin nuk duket kështu…

Është e vështirë të ndash atë që është e vërtetë nga propaganda. Asnjëra palë, as Rusia, as Ukraina, as Perëndimi, nuk thonë se çfarë është duke ndodhur realisht. Lufta është gjithashtu edhe një luftë informative. Po unë besoj se mobilizimi i pjesshëm do të ketë një efekt. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë një mobilizim të dytë vitin e ardhshëm.

Humbjet janë pak a shumë të njëjta për të dyja palët. Në parim, Rusia e ka më të lehtë t’i zëvendësojë ato. Por është shumë më e rëndësishme nëse Perëndimi, sidomos SHBA, do të jenë në gjendje të ruajnë furnizimet ushtarake për Kievin, të cilat deri më tani kanë bërë diferencën, dhe nga të cilat varet aftësia e Ukrainës për të luftuar. Deri tani në rregull, por në të ardhmen? Stoqet perëndimore të armëve, po shterojnë shumë më shpejt sesa mund të zëvendësohen.

Por a është vërtet Putini i interesuar për paqen?

Po, por sipas kushteve të tija. Ai nuk dëshiron një luftë të përhershme. Dhe unë mendoj se në fund do të ketë në mos një paqe përfundimtare, të paktën një armëpushim. Unë jam i befasuar nga ngjashmëritë me Luftën e Koresë. Në këtë rast, Amerika po e mbështet Ukrainën në luftën kundër Rusisë dhe Perëndimi ka njëfarë interesi në konflikt, sepse po e dobëson Moskën, duke sulmuar burimet e saj.

Në Kore, Stalini bëri të njëjtën gjë:përdori koreano-veriorët për ta lodhur ushtarakisht SHBA-në, duke e mbajtur atë të zënë në Azi. Ne mund të zgjasim më tej paralelizmin, duke vënë re se edhe kinezët kanë një interes për luftën, pasi ajo po e largon vëmendjen e SHBA-së nga rajoni i tyre.

Ka aspekte të një lufte të tërthortë midis fuqive të mëdha. Por edhe ajo e Koresë përfundoi me një armëpushim. Nuk ka gjasa që forcat ukrainase të jenë në gjendje t’i dëbojnë rusët plotësisht nga territori i tyre, ashtu siç nuk ka gjasa që Rusia të marrë kontrollin e të gjithë Ukrainës. Do të duhet një marrëveshje, dhe nëse do të ketë diçka që Putini mund ta shesë si sukses, ai do ta bëjë këtë.

Ç’duhet të ndodhë për t’u ulur në tryezën e bisedimeve?

Një faktor është rraskapitja nga të dyja palët. Por kjo gjë nuk do të ndodhë kaq shpejt. Një tjetër element vendimtar janë furnizimet me armë ndaj Ukrainë, pra sa gjatë do të vazhdojnë ato. Nëse ukrainasit (dhe amerikanët) do të tregojnë një vullnet real për të nisur negociatat, unë mendoj se Rusia do të përgjigjej pozitivisht. Sepse lufta nuk është e mirë për Moskën, dhe është në interesin e saj të ruajë ato pak fitime që ka arritur deri tani, raporton abcnews.al.

Sa të rëndësishme janë vende si Polonia dhe shtetet baltike, të cilat duken të vendosura për ta mbështetur Ukrainën, deri në pikën e provokimit të ndryshimit të regjimit në Rusi?

Ky është një nga problemet:Perëndimi nuk është i bashkuar se si ta zgjidhë konfliktin. Nga njëra anë, janë Polonia, vendet baltike, Britania, Republika Çeke dhe Sllovakia që duan një humbje totale të Rusisë. Ndërsa Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja po shohin një të ardhme më të largët, ku Evropa Perëndimore do të duhet të bashkëjetojë me Rusinë. Ndërkohë është e kuptueshme që ukrainasit kanë një qasje të ashpër.

A mundet Kina të luajë një rol në favorizimin e një zgjidhjeje diplomatike?

Kinezët do të tregohen shumë të kujdesshëm. E përsëris, ajo që po ndodh në Ukrainë është në interesin e Pekinit, sepse ai e dëshiron kufizimin e hegjemonisë së SHBA. Por Kina është e kujdesshme duke vendosur kufizime edhe në mbështetjen e saj për Rusinë. Unë nuk mendoj se Pekini ka qejf të tërhiqet në konflikte që përfshijnë popuj të tjerë. Ndaj nuk do të jetë protagonist në asnjë negociatë mbi Ukrainën.

Sa i lartë është rreziku që Putin të përdorë armë bërthamore në rastin e një humbjeje totale?

Fjala kyçe është humbja totale. Bllofi i Putinit me kërcënimin e përdorimit të armëve atomike, është shumë më i dobishëm se sa përdorimi i tyre. Deri më tani ai ka qenë efektiv. NATO është treguar e kujdesshme për të shmangur çdo veprim, që mund të çojë në një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Por përdorimi i tyre është i imagjinueshëm vetëm si një kartë e fundit, pasi të jetë provuar gjithçka tjetër. Unë them se nëse do të ekzistonte një kërcënim real për humbjen e Krimesë, Putini do të kishte në tryezë opsionin bërthamor. Krimea është një “vijë e kuqe”, një obsesion që nga vitet 1990. Për më tepër, nëse Krimeja do të rimerrej nga ukrainasit, do të rrezikohej pozita e brendshme e Putinit.

Në librin tuaj, ju e vini theksin tek aftësia e Putin për të befasuar kundërshtarët e tij, përmes lëvizjeve të papritura dhe të paparashikueshme. A është ende në gjendje t’i bëjë ato?

Mendoj se po. Në fillim ai shpresonte që lufta të zgjaste vetëm 2 javësh, dhe më pas, përpara zgjedhjeve të 2024-ës, kur skadon mandati i tij i katërt, mund të fillonte një proces tranzicioni, duke ia lënë presidencën dikujt tjetër. Sot gjërat janë ndryshe, por Putin ende mund të na befasojë.

Sa do të zgjasë lufta?

Unë nuk do të habitesha nëse gjatë vitit të ardhshëm do të kishte një përpjekje serioze për të arritur një armëpushim. Lufta nuk mund të vazhdojë përgjithmonë, të dyja palët do të jenë të lodhura.

Të ngjashme
Intervista • 28 Mars 2024