OpEd
Bildt vs Vance
Demokracia
09:56 | 14 Maj 2025

Share:

NGA LEKË TASI 

Është për t’u habitur si nuk kuptohet në shkallë të gjerë fakti që ndarja aktuale mes SHBA dhe Europës është kryesisht dhe esencialisht kulturore, kurse motoja MAGA (Make America Great Again) thjesht një mjet propagandistik për ta mbajtur se më gjatë entuziazmin e masës për fitoren e Trump-it të nëntorit 2024. Nuk mund të thuhet se shoqëria amerikane është e imunizuar nga morbi liberal, as që Europa është përfundimisht e sëmurur nga ky morb, (shumë rëndë po pa dyshim!), prandaj mund të mendohet me baza që treshja Vance-Trump-Musk ta ketë pleqëruar në shumë plane strategjinë e re derisa shprehet aq e sigurt.

Ajo strategji vjen në një moment kur fuqia e tyre ekonomike e teknologjike ka arritur një shkallë të tillë epërsie mbi çdo kundërshti e pengesë, madje me spektër holografik, saqë të mendohet se asaj i prin momenti botëkuptimor në ngritje dhe për këtë u vu në krye të treshes JD Vance, që përbën ndoshta “kartën” më domethënëse në të ardhmen e afërt, si një kandidat që do të zëvendësojë Trump-in në krye të SHBA. Strategjia disponon plot avantazhe për t’u zbatuar me sukses, që janë: të pasurit përballë një establishmenti botëror të vjetruar, pra të zbërthyeshëm nga një propagandë e llojit të ri, që bën për vete masa pavarësisht përkatësisë, mundësia e taktikave të studiuara diplomatike që nisen nga një kritikë e bazuar mbi defektet që paraqet çdo meridian e globit, autonomi manovrimi shumë më të madhe se kundërshtari i radhës, shembujt i kemi qysh tash, aleatë të pasur e të interesuar direkt për synimet e afërta dhe që kanë pranuar edhe të vetëreformohen, furnizim ndihme në çast aty ku duhen shmangur krizat, plus informacion të përditësuar dhe perspektiv për pikat më të brishta ku duhet goditur/shëruar rreshtimi i vjetruar botëror, e mbi të gjitha, me ofertën krejt të re: armëpushimin dhe paqen menjëherë, një moto ose sinjal që bën për vete kategoritë në risk maksimal me humbje jetësh rinore në front dhe me shkatërrime të ekonomive, pavarësisht rreshtimit. Këto shtresa kanë qenë përherë dhe mbeten më të interesuarat për paqe, por të mos harrohet, edhe më të “kapurat” prej liberalitetit të zakoneve, ose llastimit me rehatinë e arritur, duke ofruar kështu pretekste për rreziqe të reja.

Elitat ekzistuese sipas orientimit majtas o djathtas manovrojnë me vlerat etike, siç i kuptojnë secila, por duke mos pranuar sfidën e “dorës së shtrirë” për paqe, për mungesë prapavije ekonomiko-gjeografike të mjaftueshme në rast humbjeje. Pra, karakteristike për politikën ndërkombëtare deri dje ishte gara për një status sa më të favorshëm aktual dhe perspektiv, gjë që do të thotë “Paqe prore e rrezikuar”. Sot me nismën e Trump për paqe, ngjan të ketë ardhur momenti, që epërsia totale ekonomiko-ushtarake është arritur, e pajisur për të parën herë me pjekuri për të mos përfituar prej saj, por me qëllim të vetëm ndaljen e makinës së luftës në çast, sepse me atë në krye, do të ketë të ardhme falë rezervave të disponueshme pa krahasim më të bollshme. Po propozimet provokuese për aneksim të Kanadasë, të Groenlandës dhe tarifat që kushtëzojnë fuqi të mëdha botërore ç’kuptim të kenë? Meqë këto kushte (fjala është për përqendrim të fuqisë dhe të dëshirës për paqe) nuk kanë qenë arritur deri sot nga Blloku Perëndimor, por ai i ka mëshuar kartës së konsolidimit të mëtejshëm të epërsisë së tij dmth., nga një paqe të rrezikuar nga fuqi të reja, që prodhon paqja e imponuar, të kalohet te gjetja e një ndëshkimi për këtë fajtor të përjetshëm, që është qarkullimi i fuqisë imponuese në histori. Superfuqia këtë radhë e ka filluar me BE-në, e cila paraqet shembullin më të theksuar të këtij modeli botëkuptimor e politik të vjetruar.

Me 500 milionat e saj dhe me historinë e saj prej qendre të botës, dhe prej disa shekujsh të shartuar revolucionarisht dhe iluminisht mbytëse të rrënjëve të saj kristiane, nuk jep asnjë farë shenje kthimi tek ato. Ajo mbetet rob i mendësisë së balancimit të forcave. Fitorja e republikanëve në bijën e saj përtejatlantike ngjan të ketë shënuar krisjen mes dy pjesëve të së quajturës Botë e Parë dhe kur krisja vjen me krisma të tilla, nuk ka më mirë për t’u ndier empasi edhe te masat popullore prej kohësh të denatyruara ndaj 17 shekujve të mëparshëm. Çështja është që kultura botëkuptimore e tyre, BE-qeveri dhe qytetarë nuk u ndie e lehtësuar nga mesazhi i papritur që lajmëronte paqe në Ukrainë, por vazhdoi të donte fitore mbi Rusinë, me pasojë gjakderdhjen mes dy popujve kushërinj. Gjë që qeveria e re amerikane po do ta shmangë, jo vetëm për shkak të ndryshimit në vijën politike, por kryesisht për një adresim të ri botëkuptimor, që për të parën herë bie në kundërshtim total me atë të Evropës. Po ravizohet një epokë e re në krahun perëndimor të botës, me përplasje të brendshme, paçka se me Atlantikun në mes, kur orvatja më pajtuese dhe centralizuese e OKB-së nuk reagon, por e kundërta, po zbehet definitivisht në sfondin e përballjes kulturore të SHBA të sotme me pothuaj tërë restin e planetit, përfshi BE, BRICS, Izrael, Rusi, Kinë etj., ose edhe më keq, kur secila nga këto fuqi do të priret të korruptojë nismën duke kërkuar pjesë në të.

Pyetja më aktuale dhe urgjente, madje që djeg është: Mos me propozimin e Presidentit Trump mund të besojmë që kushti i parë i epërsisë ekonomikoushtarake është arritur plotësisht dhe tani për hir të një ndryshim kulturor vendimtar në ndërgjegjen e elitës dhe masës amerikane po ndillet mundësia që kryefuqia absolute e botës vendos të provojë dorën me një paqe të vërtetë, që do të thotë t’u kthehen humbësve historikë disa të drejta të zhvatura dje, të cilat BE, trashëgimtare e fuqive zhvatëse i mendon të mbyllura dhe teorikisht të zëvendësuara nga ndihma aktuale që u jepet atyre, si një rrugë pajtimi vërtet, por jo fort e zbatueshme ngaqë s’ka vullnet unik që i projekton në të ardhmen. Për ta kuptuar konkretisht: dhënia e pavarësisë Algjerisë nga De Goli në periudhën pre-BE nënkupton ngathtësinë jo vetëm të bashkësive heterogjene, por edhe paaftësinë e vet demokracisë dhe për kontrast, daljen në pah të sistemit presidencial si zgjidhje për efektivitet politik në kohën e sotme. Kësisoj, BE mbetet një copë e së kaluarës, shumë e avancuar në çdo sektor, deri në moralitet (si respekt për veçoritë e gjithsecilit, deri të shpikura), por ende shumë mbrapa në atë të pendesës historike. Kur themi sistem presidencial, e kuptojmë në sfond demokratik perëndimor, jo në atë lindor, me car, sulltan ose shef komunist.

A nuk duhej Rusia, meqë e kishte mundësinë si autokratike) ta kishte ndihmuar Ukrainën si pjesë të unitetit të tyre historik e kulturor për ta bërë edhe më të natyrshëm këtë unitet dhe pa pyetur për ndërhyrje së jashtmi që lidhen me një fazë të tejkaluar të historisë, e cila bie vetiu po t’i konsiderosh 70 dekadat bolshevike si zgjebe, që vetëm duhej fshirë? A nuk i takonte Rusisë të bëhej pjesë e Evropës nga Atlantiku tek Uralet, e të hiqeshin nga mesi traktatet e Varshavës dhe Nord-Atlantik, mbas një kasaphane qindra milionëshe? A nuk janë Hamasët armiqtë e vetëm të palestinezëve në një botë arabe, që brenda dekadash mijëfishoi ekonominë dhe po krasit fenë nga dhuna e saj ndaj më të dobëtëve dhe Indonezia e ka gjetur rrugën shumë më herët? Çështja është se në krye të qeverive diktatoriale kalimi i pushtetit bëhet nga figura të dorës së tretë, përfitues nga demokracia dhe ky korrupsion i dyfishtë zë vend në masat me parulla dhe duke fshehur e moslejuar të thuhen faktet. Kurse stazhi i stërgjatë i mendësisë europiane ç’i përket qeverisjes së botës, shfrytëzimit të kolonive dhe pastaj prurjen e krahut të punës së andejmi në shtëpinë e saj, reformimin që i bëri kontinentit të vet nga imperialist, në shoqëri me të drejta për këdo që punon, por edhe me luftën të mbajtur mjet rezervë për të ruajtur të fituarat me gjakderdhje.

Dhe këtë shartesë iluministe antikristiane, Evropa ia kalon tinëzi o haptazi Republikës së ish-13 shteteve që u bënë 51, në mënyrë që nën mbulesën e shkëmbimeve dhe solidaritetit, t’ia hollojë dhe zhdukë veçantinë e asaj jete të re të pafajshme që pati në krye falë frymës së etërve pelegrinë të shekullin 18. Kështu, nën mbulesën e solidaritetit (në dy luftëra botërore) e detyroi të hiqte dorë nga izolimi, ku eksperimentonte një model drejtësie ligjore pa asnjë nevojë për të majtën (radikalë quheshin nismëtarët e saj deri në vitet 40 dhe ishin konsideruar njëzëri si të rrezikshëm) dhe pa u ndier ta homogjenizonte në klime të përbashkët euro-amerikane, që ajo fuqi të zhvishte idealet e veta të Ethosit dhe të vishte ato europiane, ndërkohë të zgjeruara në kulm, si dhe të dorëhiqte nga krishterimi si paragjykim mesjetar (më e qartë kjo katandi arriti nën J Biden- K. Harris).

Këto zhvillime dhe zgjimi i beftë me zgjedhjet e nëntorit të 2024 ia bëjnë shumë të hidhur evropianit të kuptuarit e politikës amerikane të çastit të fundit. Është një empass kaq dramatik, sa e thellë është zhytja e Evropës në batakun iluminist-revolucionar, që i ka zënë sytë; e vetmja rreze për të është të aderojë në vijën politike amerikane nga e keqja, gjë që do të jetë kulmi i dekadencës: dmth., t’u shtosh idealeve të majta, që i ka me bindje, edhe hipokrizinë nga halli!

Të ngjashme
OpEd • 12 Maj 2025