Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara me sa duket po i ofrojnë qëllimisht Ukrainës armë që janë “të mjaftueshme për të rezistuar në frontin aktual, por jo për të ripushtuar territoret e aneksuara”.
Këtë e pretendon tabloidi Bild, duke cituar burime qeveritare gjermane.
Në pamundësi të hapjes së një negociate paqësore, objektivi i kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit amerikan, Joe Biden, do të ishte të “ngrijnë konfliktin” dhe të bindin presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, se nuk ka kuptim të vazhdojë të luftojë.
“Plani sekret i Scholz-it dhe Bidenit”, i cili do të ndahej në thelb nga partnerët e tjerë evropianë, do të ishte ai i një “Minsku pa Minskun”, duke iu referuar marrëveshjeve të vitit 2014 midis Rusisë dhe Ukrainës, të cilat nuk u zbatuan kurrë, ku pas Aneksimit të Krimesë dhe pushtimit të Donbasit përmes milicive ruse, synonte të shmangte një zgjatje të konfliktit dhe të krijonte një paqe midis Moskës dhe Kievit.
Qeveria gjermane ka mohuar se Scholz ka synime të tilla.
Por Bild këmbëngul: në qeveri do të kishte një mosmarrëveshje të fortë midis kancelarit dhe ministrit të Mbrojtjes, Boris Pistorius, të gatshëm për të forcuar dërgesën e armëve në Ukrainë dhe gjithashtu në favor të furnizimit me raketa Taurus, gjë që kundërshtohet nga Scholz.
“Ministria e Mbrojtjes po vëzhgohet nga afër nga Kancelaria. Aty merren shumë vendime”, pohon burimi i cituar nga tabloidi gjerman.