Lajme
Biden: Veprimet e Putinit janë fillimi i pushtimit rus të Ukrainës
Demokracia
20:55 | 22 Shkurt 2022

Share:

Presidenti amerikan Biden i përshkroi ngjarjet që po ndodhin tani në Ukrainë si fillimi i një pushtimi rus të Ukrainës, ndërsa njoftoi sanksione të reja dhe të ashpra për të ndëshkuar Moskën.

Këto deklarata presidenti Biden po i bën në paraqitjen e parë publike nga Shtëpia e Bardhë, që kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi të hënën trupat të vendoseshin në rajonet separatiste të Ukrainës Lindore.

Përshkrimi i Bidenit për një pushtim rus në Ukrainë rrit menjëherë rrezikun për përgjigjen ndaj tij. Ai dhe zyrtarë të tjerë të lartë janë zotuar të imponojnë pasoja të rënda ekonomike, nëse trupat ruse kalojnë në Ukrainë, duke përfshirë anëtarët e rrethit të brendshëm të Putinit dhe institucionet financiare ruse.

“Unë do të filloj të vendos sanksione si përgjigje, shumë përtej hapave që ne dhe aleatët dhe partnerët tanë zbatuam në 2014. Dhe nëse Rusia shkon më tej me këtë pushtim, ne jemi të përgatitur të shkojmë më tej me sanksionet”, tha Biden.

Por Biden do të rezervojë disa nga masat e tij më të ashpra, për t’i përdorur ato nëse Putini kryen sulm të përgjakshëm dhe të vazhdueshëm, të cilin zyrtarët amerikanë e kanë paralajmëruar prej javësh.

Administrata filloi t’i përshkruante ngjarjet në Ukrainën lindore si një “pushtim” të martën, pasi vlerësoi situatën në terren atje, sipas zyrtarëve të administratës.

Të ngjashme