Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi se një sulm i ri në aeroportin e Kabulit në Afganistan “ka shumë të ngjarë” të ndodhë “brenda 24-36 orëve të ardhshme“.
Në një deklaratë, pas takimit me këshilltarët e tij të sigurisë, ai tha se komandantët ushtarakë e kishin informuar për mundësinë e një sulmi të tillë në orët e ardhshme. “I udhëzova ata të marrin të gjitha masat e mundshme, duke i dhënë përparësi mbrojtjes së forcës (amerikane)” vuri në dukje ai.
Presidenti amerikan kujtoi se situata në terren në Afganistan është ende “jashtëzakonisht e rrezikshme” dhe siguroi se goditja kundër luftëtarëve të Shtetit Islamik të Khorasan (ISIS-K) nuk do të jetë e fundit.
“Ne do të vazhdojmë të ndjekim këdo që është i përfshirë në këtë sulm të tmerrshëm dhe ne do t’i bëjmë ata ta paguajnë” shtoi ai. Ndërkohë, Pentagoni njoftoi sonte se dy anëtarë të “ISIS-K” ishin vrarë dhe një xhihadist i tretë ishte plagosur në një sulm me dron kundër një objektivi të tyre në provincën Nangarhar. Uashingtoni nuk zbuloi emrat e viktimave, duke thënë vetëm se ishte një organizator dhe një autor.
Në të njëjtën kohë, sipas Uashingtonit, ushtria amerikane tashmë ka filluar procesin e tërheqjes nga aeroporti, shkruan abcnews. 1 mijë e 400 persona që do të hipnin sot në fluturime tashmë janë kontrolluar dhe regjistruar, në nisjet e fundit që janë planifikuar deri të martën.
Sidoqoftë, sipas Departamentit të Shtetit, rreth 350 amerikanë janë ende duke kërkuar një rrugëdalje nga vendi. Në total rreth 111 mijë e 900 njerëz janë evakuuar që nga 14 gushti sipas shifrave të fundit të qeverisë amerikane