Lajme
Biden përshëndet nisjen e bisedimeve të anëtarësimit BE-Shqipëri
Demokracia
17:13 | 19 Korrik 2022

Share:

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, përmes një deklarate ka përshëndetur nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë, e publikuar edhe nga ambasada amerikane në Tiranë nënvizon se hapat që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërmarrë ditët e fundit duhet të frymëzojnë të gjithë aspirantët e BE-së në rajon për të rritur angazhimin për forcimin e demokracive të tyre.

Deklarata e Joe Biden:

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin hapat e rëndësishëm që Bashkimi Europian po ndërmerr për të çuar përpara integrimin e Ballkanit Perëndimor në komunitetin euroatlantik duke hapur bisedimet e pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një moment kur Rusia ka shkatërruar paqen në Europë, është më e rëndësishme se kurrë të mbështesim aspiratën për një Europë të plotë, të lirë dhe në paqe. Një Ballkan Perëndimor demokratik, i sigurt dhe i begatë mbetet thelbësor për këtë vizion. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë një partner i fortë dhe i besueshëm ndërsa ato vende punojnë për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të forcuar reformat demokratike dhe për të mbështetur sundimin e ligjit. Hapat që BE, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërmarrë ditët e fundit duhet të frymëzojnë të gjithë aspirantët e BE-së në rajon për të rritur angazhimin e tyre për forcimin e demokracive të tyre”, deklaron Presidenti Biden në mesazhin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Të ngjashme