Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar një mesazh urimi homologut serb, Aleksandar Vuçiq, me rastin e ditës së shtetësisë të Serbisë.
Në mesazhin e tij urimi, Biden i bëri thirrje Serbisë që të mbështesë popullin e Ukrainës dhe të kërkojë llogari nga Rusia, duke shtuar se SHBA do të vazhdojë të mbështesë Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
“I nderuari zoti President, Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urime të sinqerta juve dhe popullit të Serbisë me rastin e festës kombëtare, të cilën ju e festoni më 15 shkurt. Gjatë viteve të fundit, Serbia dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar së bashku për të diversifikuar burimet e energjisë dhe për të forcuar bashkëpunimin ekonomik, duke krijuar një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë”, thuhet në letër.
Po ashtu, Biden thotë se e mirëpret mbështetjen e Vuçiqit lidhur me propozimin e BE-së për marrëveshjen Kosovë-Serbi.
“Së bashku, ne duhet të vazhdojmë të mbështesim popullin e Ukrainës dhe të mbajmë Rusinë përgjegjëse për luftën e saj të padrejtë dhe të paprovokuar kundër Ukrainës. Në vitin e ardhshëm, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën nën patronazhin e BE-së. Ne mirëpresim mbështetjen tuaj për propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin, i cili do të kontribuojë në krijimin e një të ardhmeje më paqësore dhe të begatë për rajonin. Pres me padurim forcimin e mëtejshëm të partneritetit të vendeve tona dhe miqësisë së popujve tanë”, thuhet në mesazhin e urimit të presidentit Biden.