Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes ka publikuar gjatë ditës së sotme listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet e muajit mars.
“Dardanët” do të përballen me Lituaninë në një miqësore, e më pas me Suedinë dhe Spanjën në eliminatoret e Kupës së Botës, shkruan Demokracia.com.
Në këtë listë, Challandes ka ftuar befasisht katër portierë.
Arijanet Muriq, Betim Halimi, Visar Bekaj dhe Samir Ujkani janë portierët e ftuar nga trajneri zviceran.
Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur më parë, pasi dihet se Kosova kishte ftuar vetëm tre portierë.
Demokracia.com ka kontaktuar me ish-portierët e njohur kosovarë, Esat Mehmeti dhe Kushtrim Mushica në lidhje me këtë çështje.
Mehmeti: Muriq duhet të jetë titullar nëse luhet me pasime të gjata
Esat Mehmeti që kishte bërë karrierë kombëtare dhe ndërkombëtare ka komentuar vendimin e Bernard Challandesit për t’i ftuar katër portierë.
Mes këtyre katër portierëve, ai ka dy “favoritë”.
“Ma merr mendja se Ujkani dhe Muriqi do të jenë titullarë. Nëse Ibrahimoviqi vjen në Prishtinë, atëherë Muriqi duhet të startojë pasi ne dihet se kemi probleme me lojën me pasime të gjata. Muriqi është më i miri, më i gjati dhe krejt varet Challandesi çfarë taktike përdorë. Nëse luhet me mes të fushës dhe kundërshtari depërton nga aty, atëherë Ujkani duhet të startojë”, ka deklaruar Mehmeti për Demokracia.com.
Tutje, Mehmeti që është i angazhuar në komisionin për përcjelljen e trajnerëve U15 të Kosovës, thotë se Kosova nuk është më “befasi”.
“Ne nuk jemi më befasi. Më pak kemi me pasë probleme me Spanjën se me Suedinë. Nëse arrijmë të marrim pikë te kjo ndeshje, atëherë do të ishte gjë e mirë”, përfundoi ish-portieri i Llapit, Trepçës, Lirisë së Prizrenit, Vardarit dhe Beshiktashit.
“Duhet përcaktuar në stërvitje se kush mund të startojë”
Ish-portieri i mirënjohur kosovar, Kushtrim Mushica e ka komentuar “punën” e katër portierëve të ftuar nga Bernard Challandes për ndeshjet e muajit mars.
Sipas tij, trajneri Challandes ende nuk mund ta di se kë e ka portier titullar duke parë formën e luhatshme të tyre.
“Roli i portierit është specifik nëpër skuadra, akoma më specifik kur bëhet fjalë për kombëtaret. Te Kosova nuk mund të themi se e kemi këtë rol të rezervuar për njërin apo tjetrin nga këta emra që i kemi në dispozicion sikur qysh po i kanë disa kombëtare si Gjermania, Italia apo edhe Franca”, ka thënë fillimisht Mushica duke vazhduar:
“Te ne nuk mund të jetë kjo e qëndrueshme derisa njëri nga ta të kenë vazhdimësi stabile në skuadrat e tyre, por këtu duhet shtuar edhe ligat se ku paraqiten. Deri më tani jemi mësuar ta shohim Aro Muriqin si zgjedhje e parë dhe nuk të themi se ka qenë nën nivelin e skuadrës që e kemi tani”.
Mushica thotë se e shqetëson edhe ecuria e formës së Muriqit te skuadrat ku po luan.
“Ajo që më shqetëson është ecuria e formës në klubet ku Aro po luan dhe mund të them se nuk po bën hapa para në karrierën e tij”, potencoi ish-portieri i Prishtinës.
Sa i përket Bekajt dhe Halimit, për të parin Mushica thotë se për “ligat rajonale” është titullar i padiskutueshëm, kurse për Halimin tregon se ka dhënë shenja të mira në Ukrainë.
“Visari luan te kampioni aktual i Shqipërisë si titullar dhe për ligat rajonale është i padiskutueshëm, por që ky s’duhet të jetë objektivi i tij. Kurse, Betimi ka dhënë shenja të mira në Ukrainë në një skuadër mesatare që ka rezultuar me ftesë, por në këtë konkurrencë do të jetë si test i një pasqyre më reale të cilësve të tij nga afër”, theksoi ai.
Për fund, ish-“gardiani” kosovar për Samir Ujkanin ndonëse nuk po luan, thotë se ka përvojën e duhur.
“Samiri ka përvojën më të madhe nga të gjithë konkurrentët dhe gjithmonë sa është aktiv mund të jetë në dispozicion dhe i frytshëm. Si përfundim, për t’u përcaktuar, duhet parë edhe stërvitjet”, përfundoi të mërkurën për Demokracia.com Kushtrim Mushica. /Demokracia.com