Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se Bashkimi Evropian ka shkelur disa marrëveshje, përfshirë edhe atë të Ohrit.
Bërnabiq i ka reaguar zëdhënësit të BE-së për politikë të jashtme, Peter Stano, që tha në konferencë për media se BE-ja është në dijeni që Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.
Stano gjatë konferencës për media refuzoi të përgjigjej nëse Serbia theu marrëveshjen e Ohrit, ndonëse disa herë iu bë kjo pyetje.
“Sa për informatë për partnerët tanë nga BE-ja: Serbia merr shënim faktin se BE-ja, sërish, në mënyrë direkte theu të gjitha si në vijim: Marrëveshjen e Brukselit, Marrëveshjen e propozuar nga BE-ja dhe Aneksin e Zbatimit nga Ohri, Statutin e Këshillit të Evropës, Kartën e OKB-së, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Përndryshe, më pëlqen pjesa e deklaratës së Peter Stanos për ‘logjikë shumë të thjeshtë’ të negociatave: ‘Secila palë duhet të bëjë diçka në mënyrë që të marrë diçka. Në realitet Prishtina mori më tepër se diçka duke bërë saktësisht asgjë. Kaq për ‘logjikën e thjeshtë’”, shkroi Bërnabiq në Twitter.