Lajme
Bërnabiq për letrën e perëndimorëve: Dëshmi se Kurti gëzon mbështetje për minimin e paqes
Demokracia
14:45 | 08 Gusht 2023

Share:

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, i “është përgjigjur” letrës së deputetëve të BE-së dhe SHBA që kërkojnë masa më të ashpra ndaj Serbisë, duke thënë se ajo është e mirëseardhur pasi është “provë e gjallë” që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të vërtetë gëzon mbështetje dhe inkurajim të plotë “për minimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan”.

Disa dhjetëra deputetë evropianë dhe amerikanë kanë dërguar një letër të përbashkët zyrtarëve të SHBA, Evropës dhe Britanisë së Madhe duke kërkuar që të rishqyrtojnë politikën ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Letra është nënshkruar nga kryetarët e komisioneve të politikës së jashtme të parlamenteve të 10 vendeve, si dhe 56 deputetë të tjerë nga shumë vende, si dhe nga anëtarët e Parlamentit Evropian, mes tyre edhe nga kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamenti britanik, Alicia Kearns, dhe kryetari i komisionit të politikës së jashtme të parlamentit gjerman, Michael Roth.

Në letër shprehet shqetësimi për politikën aktuale të BE-së, SHBA dhe Britanisë së Madhe ndaj Serbisë dhe Kosovës dhe kërkohet që ajo të rishqyrtohet.

Bërnabiq ka shkruar sot në Twitter (i riemërtuar X) se letra është “më se e mirëpritur” sepse ofron “provë të gjallë” se Kurti me të vërtetë gëzon mbështetje dhe inkurajim të plotë “për minimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan”, transmeton Paparaci.

“Shmangia e zbatimit të marrëveshjeve të arritura (si Marrëveshja e Brukselit me refuzimin e themelimit të Asociacionit për më shumë se 10 vjet, ashtu edhe Marrëveshja e Ohrit që kërkon zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit) dhe cenimi i të drejtave themelore të njeriut të serbëve në Kosovë”, ka shkruar Brnabiq.

Ajo ka shtuar se “gjithçka që kushdo duhet të dijë për demokracinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë është se që nga fillimi i këtij viti, pjesëtarët e “Aparatit të Sigurisë së Kosovës” kanë qëlluar gjashtë serbë dhe se askush nuk është përgjigjur për këtë”.

“Shembulli më i mrekullueshëm i (mungesës) së besueshmërisë dhe objektivitetit të atyre që e nisën këtë letër është se Alisha Cairns arriti të ishte një nga individët e paktë, deklaratat publike të të cilës e ka demantuar KFOR-i”, ka pretenduar Bërnabiq.

Ajo përmend se KFOR-i e ka “përgënjeshtruar” Cairns kur ajo kishte zbuluar se Kisha Ortodokse Serbe është duke kontrabanduar armë në Kosovë, mirëpo nuk tregon se KFOR-i ka deklaruar se në momentin e kontrollit “nuk ka gjetur armë në veturën e ndihmës së shpejtë”, për të cilën dyshohet se ka transportuar armët e kontrabanduar nga Serbia dhe më pas ato janë fshehur nëpër kisha ortodokse.

“Pavarësisht kësaj deklarate “të qartë” të KFOR-it, Cairns vazhdon “t’i thotë këto gënjeshtra” edhe në këtë letër”, ka përfunduar Ana Bërnabiq, shprehjen e nervozizmit të saj.

Të ngjashme