Lajme
Berisha, porosi kryetarëve të degëve: Jini aktivë në rrjetet sociale, me Facebook fitohen zgjedhjet
Demokracia
22:37 | 12 Korrik 2022

Share:

Në një takim me kryetarët e degëve të Partisë Demokratike në Tiranë, kryedemokrati Sali Berisha ka kërkuar që të angazhohen më shumë në rrjetet sociale për të përmbysur epërsinë e kundërshtarëve socialistë në botën digjitale.

Berisha theksoi se Facebooku, si një mjet komunikimi online, luan një rol të rëndësishëm për fitoren e zgjedhjeve.

E në këtë aspekt, komunikimin në Facebook dhe publikimin e akuzave dhe kritikave ndaj qeverisë, Sali Berisha e konsideron mjet thelbësor.

“Duhet të përmbysim tërësisht situatën në rrjetet sociale, duhet të dominojmë. Treguesit janë shumë të mirë. Si numër, kundërshtari ynë ka shumë më tepër se ne, në një kohë që ne kemi nevojë dhe mund të kemi trefishin e tij. E kam kërkuar, e kërkoj dhe insistoj nga ju. Po në këtë mënyrë do insistoni pranë bashkëpunëtorëve tuaj. Të bëjmë gjithçka për shfrytëzimin maksimal të rrjeteve sociale. E dëgjoni shpesh se nuk fitohet me Facebook”.

“Fitorja është komplekse, dhe unë ja u them që vetëm me Facebook mund të fitohet. Historia ka faktuar se aty ku mediet e mëdha nuk janë në favor të opozitës, përcaktuese ka qenë përdorimi i rrjeteve sociale nga opozita dhe kanë fituar zgjedhjet duke dominuar. A i kemi ne mediet e mëdha? Nuk janë në favor. Shkoj unë ulem aty, ata nxjerrin telefonat, u bien kumrijet në të gjitha anët, zbatojnë porositë. Ne nuk i drejtojmë dot ato, kështu është ai problem, por ne zhvillojmë një dimension ku nuk na ndërhyjnë dot. Çdo ngacmim që u vjen, çdo mendim që ju vjen kundër qeverisë, hidheni në Facebook” tha Berisha./tvklan/

Të ngjashme