Lajme
Berisha paraqitet për herë të parë në SPAK
Demokracia
09:55 | 23 Janar 2024

Share:

“Beteja pa kthim vazhdon”.

Kështu deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha, në një komunikim të shkurtër, ku për herë të parë do të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme SPAK për tu marrë në pyetje në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizanti.

Një ditë më parë ish-kryeministri ankimoi vendimin e SPAK që refuzon lejen për të shkuar në seancat plenare në Kuvend.

Berisha depozitoi një kërkesë për të marrë leje për t’u paraqitur në seancat plenare.

Berisha, është zyrtarisht në arrest shtëpie me mbikëqyrje policore, ku vendimin e ka marrë Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas kërkesës nga Prokuroria e Posaçme SPAK.

I shtyrë disa herë në kohë, ky vendim për Berishën vjen duke u lidhur me hetimet që po zhvillohen për çështjen e privatizimit të ish-klubit Partizani, për të cilin si Berisha, ashtu edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, akuzohen për përfitime dhe korrupsion.

Në bazë të vendimit të GJKKO, Berisha ka të drejtë të komunikojë vetëm me personat me të cilët jeton në banesë, duke i pamundësuar kështu vizitat dhe komunikimet me persona të tjerë.

Më 21 dhjetor, ishte Kuvendi i Shqipërisë, ai i cili i hapi rrugën Berishës për t’u arrestuar nga SPAK.

Pavarësisht votimit vetëm me votat e mazhorancës, Berisha nuk e ka pranuar këtë vendim parlamentar ndaj tij dhe ndaj, mundet edhe të mohojë gjithë rrethanat e lënies në arrest shtëpie.

Por me çfarë ka të bëjë konkretisht çështja e Berishës?

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) do të zbulonte përmes një njoftimi zyrtar detajet hetimore lidhur me privatizimin e ish-kompleksit të klubit Partizani.

Në mesin e të akuzuarve ishin ish-kryeministri Sali Berisha me veprimet e tij konkrete për të bërë që dhëndri i tij Jamarbër Malltezi të përfitonte nga kjo skemë e parregullt.

Më saktë, objekti i hetimit të këtij procedimi penal, sipas SPAK-ut, ishin veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportësh Partizani”.

Prokuroria e Posaçme dyshon se Berisha ka konsumuar veprën penale të ‘Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë’, e kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

SPAK shton se Berisha në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, dyshohet se ka kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore.

Kjo, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte Jamarbër Malltezi.

Berisha, dyshohet madje se ka kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të Jamarbër Malltezit, vijon SPAK-u.

Sipas Prokurorisë, Berisha dyshohet se ka kryer po ashtu veprime aktive në vendosjen në dispozicion të Malltezit, të strukturave të ndryshme të administrates shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.

Të ngjashme
Lajme • 28 Maj 2024