Sport
Berisha: Jam te Prishtina pasi gjithmonë kam dashur të luaj këtu, do të jap gjithçka që të fitojmë trofe
Demokracia
14:32 | 22 Shtator 2021

Share:

Prishtina sot e ka prezantuar njëri nga futbollistët më të mëdhenj shqiptar Besart Berisha, shkruan Demokracia.com.

Berisha i cili la histori në Australi, duke u bërë golashënuesi më i mirë i kampionatit i është bashkuar në finish të karrierës skuadrës bardhekaltër ku ka ardhur me synime për ta ndihmuar klubin dhe me përvojë që ka t’i ndihmojë edhe lojtarët e rinj.

Sulmuesi prishtinas është prezantuar sot te Prishtina, dhe ai pritet t’i bashkohet pjesës tjetër të ekipit të Zekirija Ramadanit menjëherë.

Në konferencën për shtyp të organizuar sot në objektet e stadiumit “Fadil Vokrri”, Berisha ka thënë se ka qenë dëshirë e tij që një ditë ta veshë fanellën e Prishtinës.

“Liga e Kosovës është bërë  e mirë, klubet janë përforcuar shumë dhe nuk do të jetë aspak lehtë. Pra edhe për mua nuk do të jetë lehtë të shënojë. Gjithsesi, do të jap maksimumin  për ta arritur suksesin. Nuk do ta vlerësoj vetëm më lartë se asnjë futbollist tjetër te Prishtina, dua të jem si gjithë lojtarët tjerë pavarësisht përvojës që kam. Do të punoj shumë që të jap më të mirën për skuadrën”, ka thënë Berisha duke shtuar:

“Mezi po pres me hi në stadium me i pa edhe tifozët “Plisat” pasi pa ta nuk mundemi me pas sukses. Shpresoj shumë  t’i gëzoj me gola. “Plisat” janë pjesë e jona dhe pa ta nuk mundemi me bë asgjë”, ka përfunduar Berisha i cili në fanellën bardhekaltër do ta bartë numrin 36. /Demokracia.com

Të ngjashme