Lajme
Berisha: Gati për protesta, kemi 44 mijë luftëtarë, ‘Ballkani i Hapur’ kundër procesit të Berlinit
Demokracia
19:12 | 11 Qershor 2022

Share:

Kryetari i PD-së Sali Berisha zhvilloi një takim në selinë e Partisë Demokratike me kryetarët e zgjedhur të degëve të cilëve u kërkoi të punojnë për krijimin e një  fronti opozitar, me qëllim rrëzimin e pushtetit “monist”. Berisha tha se situata është si vitin 1991, duke iu kthyer të vetmes alternative që ai shpërfaq sa herë kryeson opozitën; protesta.

“Ku jemi ne? Më të fortë së kurrë! Kemi 44 mijë luftëtarë të cilët na u përgjigjën në çdo kohë, u konfirmuan 44 mijë luftëtarë është një pakicë e cila mund të kryejë me sukses, mund të ndërtojë, udhëheqë një lëvizje të fuqishme shpëtimtare për Shqipërinë…

Revolta, pakënaqësia ndaj këtij regjimi zien e vlon jo vetëm në zemrat e demokratëve, por ju garantoj e të një përqindje të madhe të individëve qytetarëve pa parti qoftë dhe të PS e partive të tjera.

Detyra jonë t’i aktivizojmë, t’i tërheqim ata në veprimin tonë, të bëjmë gjithçka për të vendosur bashkëpunimin me ta. të bëjmë gjithçka për të identifikuar çdo organizatë, grup interesi, individ influent e çdo aleat tonin që ne duhet të krijojmë me shpejtësi frontin opozitar.

Ne jemi në situatë absolutisht shumë më të vështirë se sa në vitin 1991.

Jua them këtë se në vitin 1991 ne kishim një regjim monist, komunist, por ai ishte një rrokullisje botërore. Komunizmi nuk ra në Shqipëri në fillim. sot kemi një regjim si në 91, edhe më monist se në 91”, tha ai.

Sot, sipas tij, të gjitha pushtetet janë në duart e një njeriu, të Ramës.

Berisha ka denoncuar rritjen e çmimeve dhe vendosjen e tyre përmes bordeve të transparencës.

Sipas tij, “vetëm në tre muaj qytetarëve iu janë plaçkitur 340 milionë euro me çmimet që kanë diktuar”.

Ai nuk iu shmang as temës që trumbeton çdo ditë; “Ballkanit të Hapur”

“Në rrafshin politik Ballkani i Hapur është kundërvënie flagrante e procesit të Berlinit. Nuk është e paqëllimtë, është projekt rus, është thënë me dhjetra herë, por këtë e firmosi Sergei Lavrov.

Gazeta Si shkruan se hegjemoni serbe do të thotë influencë ruse, nuk ka diskutim. Për këtë po punon Edi Rama. Pra ky është Ballkani i Hapur në rrafshin politik. Asnjeri nuk e përgënjeshtron dot Lavrovin.

Po pse këta kërkojnë influencat ruse, Vuçiq dhe Rama? I kërkojnë se vetëm në këtë mënyrë ata janë duar lirë të bëjnë ç’të duan në vendet e tyre. Rusia ka qëllime të tjera por në Evropë e botë nuk gjen dy kryeminister e president të lidhur me krimin si këta të dy.

Këta janë sot zyrtarët më të lidhur me krimin në Evropë e botë, u duhet se e dinë që BE nuk i kapërdin dot, nuk i pranon dot me këto lidhje të tmerrshme krimi që kanë”, tha ai.

Të ngjashme