Kreu i PD, Sali Berisha, i është bashkuar protestës së thirrur nga shoqëria civile para Ministrisë së Brendshme, pas tragjedisë së Himarës ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdia.
Berisha: Janë qytetarë të revoltuar për një ngjarje që ka tronditur mbarë shqiptarët, por jo pushtetarët.
Vogëlushja u vra nga një skafist i qeverisë. Rama as nuk ndjeu minimunim e përgjegjësisë për këtë zhvillim dramatik dhe e politizoi në mënyrë ekstreme. Përdori epitete si njeri me çrregullime të rënda mendore. Ky fëmijë u blua nga skafi i një njeriu të qeverisë, 2 metër nga bregu. Çuçi duhet të ishte larguar tashmë, por këta përpiqen me zinxhirin e policisë së Vlorës të kapërcejnë një nga ngjarjet më tragjike të ndodhur prej dekadash në vend.
Edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i është bashkuar protestës së shoqërisë civile përpara Ministrisë së Brendshme.
“Vetëm pak kohë më parë dy qytetarë u plagosën në Jalë, në rrethana të ngjashme dhe shumë aksidente të tjera. Asnjë masë nuk është marrë për të zbatuar ligjin, jo vetëm kaq por edhe cinizmi që thotë mos na e prisni imazhin e vendit me turizmin më të mirë në rajon. Zgjidhja është protesta, dorëheqja e gjithë ministrave përgjegjës dhe kryetarit të Bashkisë ku ka ndodhur ngjarja ose shkarkimi i tyre.
Qytetarët duhet të shumëfishojnë vrullin, intensitetin e protestës. Të vrasin frikën dhe të triumfojë liria. Familjet shqiptare janë në gjendjen më të rëndë nga ana ekonomike, nga problemet sociale, sa shumë të rinj të prekur nga fenomeni i drogës.
Të rrisim përgjegjësinë dhe të mblidhemi të gjithë, që kjo situatë papërgjegjshmërie të marrë fund dhe të mbrojmë fëmijët e shqiptareve dhe atdheun nga një klikë e papërgjegjshme”, tha ai.