Lajme
Berisha: Ballkani i Hapur si synim e ka hegjemoninë serbe
Demokracia
16:24 | 07 Qershor 2022

Share:

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), Sali Berisha, ka thënë se “Ballkani i Hapur” është instrument për shtrirjen e hegjemonisë ruse në Ballkan.

Këto komente, Berisha i ka bërë të martën – në ditën kur në Ohër është duke u mbajtur samiti i radhës, ku pjesë po marrin të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përpos Kosovës.

“Sot jam këtu para jush për të denoncuar takimin e aleancës trilaterale të Ohrit, si një aleancë e rrezikshme për paqen, stabilitetin në Ballkan, si një aleancë që synon vendosjen e hegjemonisë serbe dhe influencës ruse në rajon, si një aleancë që i kundërvihet tërësisht procesit të integrimit evropian dhe procesit të Tregut të Përbashkët Rajonal në kuadrin e nismës së Berlinit”, ka thënë Berisha.

“Pra, ky akt, ky ‘Samit i Ohrit’, është një samit që prodhon serbomadhi, rusofili dhe asgjë të mirë për shqiptarët. Përshëndes qeveritë që refuzojnë anëtarësimin në këtë klub të Beogradit”.

Ai po ashtu ka folur edhe për pjesëmarrjen e Malit të Zi, në këtë samit.

“Mali i Zi nuk është anëtarësuar, ka shkuar për të marrë pjesë sepse Mali i Zi ka një kompozim në të cilin një pjesë e popullsisë së tij është të themi serbe në fakt. Pjesa dërrmuese e popullsisë malazeze nuk është me origjinë serbe dhe në ruajtje të këtyre ekuilibrave, por presidenti Gjukanoviq ka kundërshtuar në mënyrë të prerë dhe të hapur anëtarësimin e vendit të tij në nismën e ‘Ballkanit të Hapur’”, ka thënë ish-kryeministri shqiptar.

“Ballkani i Hapur”, është iniciativë e krijuar nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Kosova ka refuzuar vazhdimisht që të përfshihet në këtë nisme rajonale, duke e cilësuar si projekt të rrezikshëm për Ballkanin.

Të ngjashme