Largimi i mundshëm i Luka Joviqit nga Real Madridi ishte paralajmëruar në të gjitha mediat spanjolle dhe jo vetëm.
Si destinacion përmendej Arsenali, por siç raporton “Marca” spanjolle, nuk do të ketë asgjë nga kjo në këtë afat kalimtar dimëror, përcjell Demokracia.com.
Shkak është bërë lëndimi që ka pësuar së fundmi sulmuesi i parë i skuadrës, Karim Benzema, për të cilin Los Blancos nuk janë gati të rrezikojnë dhe të heqin dorë nga Joviq, sepsë atëherë do të qëndronin vetëm me Marian Diaz.
Në Londër shpresonin se do të arrinin ta sillnin Joviqin në huazim me të drejtë blerje, pasi në fund u desh të hiqnin dorë nga Dushan Vlahoviq, i cili pranoi të transferohej te Juventusi.
Joviq këtë sezon ka luajtur gjithsej 15 herë në fanellën e Realit dhe ka shënuar një gol me dy asistime.
Reprezentuesi serb që nga transferimi i tij nga Frankfurti përkundër pritshmërive nuk arriti asnjëherë ta zë një vend në 11-shen startuese të “mbretërve”.
Ai edhe më parë u hodh në treg nga drejtuesit e klubit, pasi e cilësuan si transferim të dështuar. /Demokracia.com/