Ushtria izraelite dhe shefat e sigurisë janë vendosur në radhë për të marrë një pjesë të fajit në dy javët që kur militantët e Hamasit nga Gaza vranë më shumë se 1 mijë e 400 njerëz.
Kreu i inteligjencës ushtarake për Forcat e Mbrojtjes të Izraelit tha se ai mbante “përgjegjësinë e plotë”, shefi i Shin Bet pranoi se agjencia e tij e sigurisë “nuk kishte dhënë paralajmërim” për sulmin dhe shefi i shtabit të IDF tha se ushtria “nuk ia doli”.
Megjithatë, një udhëheqës i lartë izraelit ka shmangur dukshëm marrjen e përgjegjësisë, aq më pak të kërkojë falje për të: Benjamin Netanyahu, kryeministri që ka udhëhequr vendin për pjesën më të madhe të 15 viteve të fundit.
Dështimi i Netanyahut për të shprehur keqardhje për atë që shumë e konsiderojnë fatkeqësinë më të keqe që i ka ndodhur popullit hebre që nga Holokausti është habi për të huajt, por më pak për izraelitët që e kanë vëzhguar nga afër liderin e tyre prej shumë vitesh.
Pas tronditjes fillestare në ditët pas sulmit të Hamasit, Netanyahu ka rizbuluar bazën e tij politike: duke lëshuar fjalime të zjarrta dhe duke u fotografuar në imazhe me trupat izraelite.
Ai gjithashtu – më shumë se një javë pasi u rrëmbyen – takoi të afërmit e disa prej 203 personave të marrë rob në Gaza.
Megjithatë veprimet e tij kanë tërhequr polemika.
Kryeministrit iu desh të mohonte se aktivistë ishin vendosur në mesin e familjeve të pengjeve që ai takoi, dhe ai u kap gjithashtu në kamera duke mbajtur presidentin amerikan, në mënyrë që të mund të fotografohej së pari me Joe Bidenin që e vizitonte këtë javë.
“Ai është plotësisht i vetëdijshëm se kjo është tragjedia më e madhe në historinë e Izraelit dhe karrierën e tij politike. Por në mendjen e tij kërkimi i faljes është hapi i parë drejt dorëheqjes dhe ai nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen”, tha Anshel Pfeffer, autor i një biografie të liderit izraelit.
Një person i dytë i njohur me të menduarit e liderit izraelit tha se “Netanyahu beson se nëse ai thotë “Unë jam përgjegjës”, do të përkthehet si “Unë jam fajtor”.
Izraelitët dashamirës ndaj Netanyahut – nuk janë shumë – thonë se fajësimi për gabimin më të madh të sigurisë në historinë e Izraelit mund të presë deri pas luftës, për të cilën qeveria e tij thotë se synon të “eliminojë” kërcënimin e paraqitur nga Hamasi në Gaza.
“Nuk ka asnjë person të vetëm në Izrael që të ketë më shumë përgjegjësi për të siguruar që kjo të mos ndodhë më kurrë, dhe kjo fillon me largimin e Hamasit”, tha George Birnbaum, një ish-shef i shtabit të Netanyahut.
Shumica e analistëve presin që Netanyahu do të kërkojë t’ia hedhë fajin shefave të tij të sigurisë.
Një person i njohur me të menduarit brenda ushtrisë izraelite tha se pritja ishte që shumë oficerë të lartë do të jepnin dorëheqjen – por vetëm kur të përfundonte konflikti.
Netanyahu premtoi në një fjalim në Knesset këtë javë të “hetojë gjithçka tërësisht” dhe të zbatojë “mësime të menjëhershme”, ndërsa duke këmbëngulur gjithashtu se fokusi i vendit ishte në “sulmin përpara drejt fitores”.
Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për Albanian Post