Gratë në Kinë, Japoni dhe në vende të ndryshme të Azisë të cilat karakterizohen për flokë të gjata dhe të shëndetshme kanë përdorur ujin e orizit për flokët për shekuj me radhë.
Uji i orizit mendohet se përmban shumë nga vitaminat dhe mineralet që gjenden në oriz duke përfshirë aminoacide, vitamina B, E, minerale dhe antioksidantë, shkruan Demokracia.com.
Përdorimi i ujit të orizit në flokë ka shumë benefite dhe disa nga to janë : i bën flokët më të butë, rrit shkëlqimin dhe ndihmon në rritjen e flokëve.
Demokracia.com ju sjell recetën e përgatitjes së ujit të orizit dhe si ta përdorni atë.
Përgatitja
Merrni gjysmë filxhani oriz dhe shpëlajeni atë, pastaj orizin e pastruar vendoseni në një enë duke shtuar 2 deri në 3 gota me ujë dhe lëreni të qëndrojë ashtu 20 minuta. Pastaj kullojeni ujin e orizit në një enë të pastër.
Ju gjithashtu mund të zieni orizin, duke vendosur gjysmë filxhani oriz në një enë dhe të dyfishoni masën e ujit që zakonisht përdorni për të zier orizin. Pasi orizi të zihet e kulloni në një enë të pastër.
Përdorimi
Lani flokët me shampo si zakonisht dhe pasi t’i shpëlani me ujë, vendoseni ujin e orizit në flokë. Masazhoni skalpin e kokës dhe flokët dhe lëreni ujin në flokë për 20 minuta. Pas 20 minutash shpëlani flokët me ujë të vakët. /Demokracia.com/