Lajme
Bekim Jashari ndan mirënjohje për mësimdhënësit e dalluar të Skenderajt
Demokracia
16:47 | 07 Mars 2021

Share:

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari për nder të Ditës së Mësuesit dhe Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka ndarë mirënjohje dhe nga 50 euro për mësimdhënësit e dalluar në këtë komunë.

I pari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari në nder të Epopesë së UÇK-së dhe Ditës së Mësuesit ka ndarë mirënjohje dhe 50 euro për 52 mësimdhënës të dalluar të kësaj komune, shkruan Demokracia.com.

Kështu ka bërë të ditur Jashari përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ku kujtoi edhe gjyshin e tij Shaban Jasharin, i cili ishte edhe mësuesi i parë në Drenicë.

“Rrugën e gjyshit Shaban dhe mësuesve të parë në Drenicë e pasuan me shumë përgjegjësi gjenerata të tëra mësuesish të cilët nuk u ndalen as në kohë lufte duke dhënë më të mirën në edukimin e të rinjve dhe përgatitjen e tyre për t’i shërbyer vendit e për t’i dalë zot vatanit. Tutje para mësimdhënësve deklarova po ashtu se viti që lëmë pas ishte vit i vështirë, për të gjithë, e në veçanti për mësimdhënësit, puna e tyre e pandalshme pavarësisht rrezikut nga përhapja  e pandemisë është mision fisnik dhe sakrificë për shtetin dhe shoqërinë. Andaj shpreha falënderim për këmbëngulësinë e tyre në realizimin e misionit fisnik në shërbim të shtetit e shoqërisë”, ka shkruar Jashari.

Postimi i plotë i Jasharit, pa ndërhyrje:

Sot në këtë ditë të shënuar historike, në këtë ditë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Ditën e Mësuesit, në shenjë respekti për kontributin e tyre ndava mirënjohje dhe një shumë simbolike prej 50 euro për 52 mësimdhënësit më të dalluar të komunës sonë, për vitin shkollor 2020-2021.

Në këtë ceremoni pranova mirënjohje në emër të familjes nga shkolla fillore “Azem Bejta” në Prekaz.

Me këtë rast deklarova se edukimi i mirëfilltë është baza e zhvillimit të shoqërisë. Këtë e kuptuan drejtë dhe me kohë mësuesit tonë të parë në Drenicë, gjyshi im Shaban Jashari, i cili asnjëherë nuk u ndal së shërbyeri vendit në edukimin e fëmijëve  dhe mishërimin e tyre me vlera patriotike e atdhedashuri.

Rrugën e gjyshit Shaban dhe mësuesve të parë në Drenicë e pasuan me shumë përgjegjësi gjenerata të tëra mësuesish të cilët nuk u ndalen as në kohë lufte duke dhënë më të mirën në edukimin e të rinjve dhe përgatitjen e tyre për t’i shërbyer vendit e për t’i dalë zot vatanit.

Tutje para mësimdhënësve deklarova po ashtu se viti që lëmë pas ishte vit i vështirë, për të gjithë, e në veçanti për mësimdhënësit, puna e tyre e pandalshme pavarësisht rrezikut nga përhapja  e pandemisë është mision fisnik dhe sakrificë për shtetin dhe shoqërinë. Andaj shpreha falënderim për këmbëngulësinë e tyre në realizimin e misionit fisnik në shërbim të shtetit e shoqërisë.

Duke qenë i vetëdijshëm për rëndësinë e shkollimit e edukimit, si kryetar i Komunës së Skenderajt prioritet të veçantë i kam dhënë përkrahjes së arsimit në komunën tonë, mësimdhënësve, trajtimit dinjitoz të tyre dhe krijimit të kushteve të përshtatshme për procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies.

Në këtë drejtim, kemi bërë investime në shumë shkolla, duke u nisur nga infrastruktura shkollore e sportive e deri tek realizimi i pagesave të shujtave për mësimdhënësit e komunës sonë.

Përkrahja për mësimdhënësit nuk do të mungojë asnjëherë dhe kështu do të vazhdojmë që së bashku të shënojmë rezultate edhe më pozitive në avancimin e arsimit në komunën tonë.

Të dashur mësimdhënës, Urime 7 marsi- Dita e Mësuesit!

Ashtu siç ndriçoni rrugën e fëmijëve e të rinjve tonë ashtu qoftë jeta juaj çdo herë!/Demokracia.com/

https://www.facebook.com/BekimHamezJashari/posts/974632433073408

Të ngjashme
Lajme • 02 Qershor 2024