Lajme
Begaj në takim me Asistent Sekretarin e NATO-s: Kosova të pranohet sa më parë në NATO e OKB
Demokracia
14:39 | 22 Prill 2023

Share:

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj, priti sot në takim Asistent Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Inteligjencë dhe Siguri, David Cattler.

Presidenti Begaj vlerësoi kontributin që japin strukturat e inteligjencës së NATO-s në përballimin e sfidave komplekse të sigurisë.

Presidenti Begaj nënvizoi se bashkëpunimi ndërmjet strukturave të inteligjencës të vendit tonë me ato të NATO-s është thelbësor për të parandaluar influencat malinje të vendeve me qëllime jo miqësore.

Më tej, Presidenti Begaj siç thuhet në komunikatë, diskutoi me z. Cattler lidhur me situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku pavarësisht progresit të bërë, vërehen përpjekje të aktorëve me ambicie gjeopolitike për të zgjeruar influencën dhe për të penguar proceset euro-integruese.

Gjithashtu theksoi se dakordësia e arritur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, është një hap pozitiv i cili duhet të avancojë me arritjen e rezultateve konkrete.

Normalizimi i marrëdhënieve duhet të qendërzohet drejt njohjes reciproke dhe drejt anëtarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtarë si Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe NATO.
Në përfundim, Presidenti Begaj theksoi se strukturat e inteligjencës dhe të sigurisë së Shqipërisë, do vijojnë të kontribuojnë dhe të bashkëpunojnë ngushtë me strukturat e NATO-s.

Të ngjashme